Arkitekti i njohur britanik ofron ndihmë në rindërtimin e qytetit Kharkiv në Ukrainë

Arkitekti britanik Sir Norman Foster, i njohur për restaurimin e Pallatit Reichstag në Gjermani dhe për projektimin e Urës së Mijëvjeçarit në Londër, ka ofruar të ndihmojë në rindërtimin e qytetit ukrainas të Kharkiv, i shkatërruar pjesërisht si pasojë e agresionit rus.

Fondacioni i arkitektit 86-vjeçar tha se Foster foli përmes videokonferencës të hënën me Igor Terekhov, kryebashkiakun e qytetit të dytë më të madh të Ukrainës.

Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Sir Norman i paraqiti atij një plan për të rindërtuar qytetin, ku një e katërta e ndërtesave janë shkatërruar që kur Rusia filloi agresionin në Ukrainë, më 24 shkurt.

I vendosur pranë kufirit me Rusinë, qyteti i Kharkiv ishte skena e luftimeve të ashpra në fillimin e ofensivës ruse, por mbeti nën kontrollin e Ukrainës.

Sir Norman Z. Foster tha se ai dëshironte “të grumbullonte mendjet më të mira me aftësitë më të mira të planifikimit, arkitekturës, dizajnit dhe inxhinierisë në botë për të mbështetur rilindjen e qytetit të Kharkiv”.

Ai tha se hapi i parë do të ishte hartimi i një plani për një “qytet të së ardhmes së afërt dhe planifikimi për jetën e tij për dekadat e ardhshme”.