Hoxha e quan “dreq” presidentin ukrainas, BFI dënon agresionin e Rusisë kundër Ukrainës

“Kryetari i Ukrainës, ai dreçi që del sot edhe rri për gjynah aty, ai dilte dhe qante nëpër mediume, qante për jahuditë se shikoni se çfarë është duke i ndodhur jahudive dhe jahuditë janë duke jetuar në trishtim. E jahuditë bombardo me aeroplana, me tenke e artilerinë më të rëndë që mund ta posedojë një ushtri, i bombardojke dhe vritke fëmijët dhe civilët e pa armatosur, e ky i qajke jahuditë”, deklaroi hoxha Muharem Ismaili.

Me këto fjalë iu drejtua xhematit hoxha Muharem Ismaili, në lidhje me luftën Ukrainë-Rusi.
Për hoxhën presidenti i Ukrainës Zelenski, është zullumqar dhe dreq sepse ka qarë më parë për izraelitët dhe thotë se tani, atij po i kthehet zullumi në shtetin e vet.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi në Click Plus vlerësoi se Bashkësia Fetare Islame duhet të prononcohet me qëndrim zyrtar, që mos mbetet hapësirë për manipulime.

“Vetëm popullatës tonë që është 90 e diçka për qind myslimane t’u përkujtoj, masakruesi kryesorë i opozitës liberale siriane është Putini me Assadin. Do të ishte shumë mirë, që drejtuesit fetarë, kryesia e BFI-së të prononcohet publikisht këto ditë që të mos lënë hapsirë të keqpërdorimit të armiqve të shqiptarëve me këtë çështje”, tha Thaçi.

TV21 pyeti BFI-në për qëndrimin e tyre në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, e nga atje na treguan se dje Reis Ulema Fetai ka pasur takim me ambasadorin e BE David Gir, ku ka shprehur shqetësimin për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe na thanë se ky është qëndrimi zyrtar i kreut Shaqir Fetai.

“Në këtë takim, Reisul Ulemaja e falënderoi Ambasadorin për takimin dhe pritjen e ngrohtë, e në të njëjtën kohë në emër të Bashkësisë Fetare Islame shprehën shqetësimin e madh për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës ku ranë shumë viktima në njerëz dhe u shkaktuan shkatërrime të shumta, andaj bashkërisht dënuan thellë këtë agresion antinjerëzor që po rrezikon Paqen, jo vetëm në rajon por edhe në tërë globin. Poashtu, Kreu i BFI përshëndeti unitetin e BE dhe SHBA në përpjekjet e tyre maksimale për të ndaluar këtë agresion, që po rrezikon jetën njerëzore”, deklaruan nga BFI.

Ndryshe Thaçi në ClickPlus rikujtoi se presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar ushtrinë e cila ka vrarë myslimanë në shumë shtete.