Një incident me armë zjarri është regjistruar në rrugën lokale që lidh fshatrat Debresh dhe Vrapçisht të rajonit të Gostivarit.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 6 nëntor, rreth orës 22:40, një 28-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar rastin në stacionin policor në Gallatë, duke e cilësuar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Në momentin e incidentit, një 31-vjeçar po drejtonte një automjet BMW me targa të Gostivarit, në drejtim të Vrapçishtit. Gjatë udhëtimit, personat në automjet kanë dëgjuar një goditje të fortë në pjesën e pasme të kulmit të veturës.
Pasi kanë ndaluar dhe kanë dalë nga automjeti, kanë vërejtur një predhë të armës së zjarrit dhe dëmtime në veturë.
Policia ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.





