Gucati deklarohet në Hagë: “Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, por vendi ynë ka qenë i pushtuar nga Serbia”

Ka vazhduar edhe sot gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në fund të seancës i është dhënë e drejta të dy të akuzuarve që për pak minuta të japin deklarata të tyre lidhur me procesin e gjykimit.

I pari u drejtua Gucati, i cili tha se fillimisht do që ta ndajë me gjykatën historinë e vendit të tij, pra Kosovës, gjegjësisht të fshatit të lindjes Morinë e Skenderajt, vend ky që tha se gjatë luftës së fundit ka humbur më së shumti njerëz për kokë banori.

Ai po ashtu tregoi se gjatë viteve 1998-1999 së bashku me babanë i është bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’i mbrojtur të drejtat elementare të njeriut, siç janë liria dhe e drejta për një jetë të lirë në vatrat tona.

“Në luftimet e qershorit të vitit 1999, unë jam plagosur nga forcat serbe, dhe si pasoje e asaj sot jam invalid dhe nuk mund të eci si gjithë njerëzit e tjerë”.

“Ne si popull më i vjetër në Ballkan, nuk e kemi pushtuar Serbinë, por vendi ynë ka qenë i pushtuar nga Serbia”.

“Këtu ku jemi duke qëndruar me të padrejtë qe më shumë se një vit, ne nuk e kemi bëre asnjë mëkat”.

“Kemi shfrytëzuar të drejtën tonë të fjalës së lirë, të drejtat që i kemi fituar me sakrifica të shumta. Vetëm gjatë muajve mars-prill-qershor 1999 mbi popullin tonë janë kryer mbi 400 masakra e krime nga gjenocidi serb. Janë vrarë mbi 1 mijë e 400 fëmijë e janë dhunuar mbi 20 mijë femra, janë vrarë edhe mijëra pleq që s’kanë mundur të lëvizin, dhe janë mijëra të zhdukur që as sot nuk e dijmë për fatin e tyre”.

“Është e drejtë e imja legjitime që t’i mbroj të drejtat dhe vlerat e kombit tim, të UÇK-së, dhe të Republikës së shtetit tim të Kosovës, dhe këto vlera janë njerëzorë, të cilat unë jam i obliguar që t’i mbroj”, deklaroi Gucati para trupit gjykues, edhe pse në një moment iu ndërpre fjalimi nga gjykatësi, i cili e luti që të mos hyjë në hollësi dhe të mos flasë për argumente me natyrë politike, por të fokusohet te procesi gjyqësor.