Një komision i Prokurorisë së Lartë Publike në Serbi ka nisur shqyrtimin e vendimit përmes të cilit kryeterroristi i Banjskës, Milan Radoiçiq, ishte lënë i lirë dhe nuk ishte dërguar në paraburgim pas arrestimit të tij në tetor të vitit 2023.
Sipas mediumit serb “Nova.rs”, komisioni po shqyrton rrethanat se si u mundësua lirimi i Radoiçiqit, pavarësisht se ai kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në fokus të shqyrtimit është kërkesa e atëhershme e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit. Në të, prokurori kishte argumentuar se ekzistonte rreziku i ikjes, por nuk kishte përmendur rrethana të tjera që mund të justifikonin masën më të rëndë të sigurisë.
Bëhet fjalë për rrezikun e përsëritjes së veprës penale, ndikimin e mundshëm te dëshmitarët dhe cenimin e sigurisë publike. Pikërisht mungesa e këtyre argumenteve po shqyrtohet tash nga komisioni, sipas raportimit të “Nova.rs”.
Gjykata e Lartë në Beograd e kishte refuzuar kërkesën për paraburgim, duke vlerësuar se paraqitja vullnetare e Radoiçiqit dhe dorëzimi i pasaportës ishin të mjaftueshme për të siguruar praninë e tij gjatë procedurës. Në vend të paraburgimit, atij i ishte konfiskuar pasaporta dhe i ishte caktuar obligimi për t’u paraqitur rregullisht në polici.
Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, e kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, përmes avokatit të tij. Ai kishte pretenduar se kishte vepruar pa dijeninë e autoriteteve serbe.
Gjatë sulmit, një grup prej dhjetëra personash të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura u vranë edhe tre sulmues serbë, ndërsa pjesa tjetër e grupit u largua drejt Serbisë, duke lënë pas armë, municion dhe eksplozivë.
Pas sulmit, Radoiçiq ishte arrestuar në Serbi, por Gjykata e Lartë në Beograd e kishte liruar në tetor të vitit 2023. Që atëherë, autoritetet serbe nuk kanë ngritur aktakuzë ndaj tij, ndërsa ai vazhdon të qëndrojë i lirë.
Madje, së fundmi ai është parë edhe në fushatën zgjedhore, duke marrë pjesë në aktivitete në mbështetje të ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq, gjatë zgjedhjeve të 25 tetorit.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur në shtator të vitit 2024 aktakuzë ndaj 45 personave për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë, përfshirë edhe Radoiçiqin. Aktakuza përfshin vepra penale që lidhen me terrorizmin dhe cenimin e rendit kushtetues.
Kosova ka kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e të akuzuarve, ndërsa për disa prej tyre, përfshirë Radoiçiqin, janë lëshuar fletarrestime ndërkombëtare përmes Interpolit.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësinë, ndërsa Kosova vazhdon të kërkojë nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Beogradit për këtë çështje.



