Gjuha, kultura dhe identiteti

Arbër Çeliku

Ne vitet 70-ta të shekullit të kaluar ndodhi një kthesë e madhe në gjuhësi, e quajtur si kthesa pragmatikore-komunikuese, me ç’rast gjuha filloi të shihej si mjet komunikimi dhe jo më si një sistem i mbyllur në vete dhe për vetveten. Kjo mund të shihet edhe si një moment politik, i cili do të sheshonte nacionalizmat e theksuara dhe do të përvijonte një vizion global në gjuhësi paralelisht me atë politik.
Megjithatë, tendencat e këtilla nuk janë të sotme, fillimisht i gjejmë te Platoni, më vonë te Kanti dhe sot të trajtuara më tej te filozofi gjerman Jürgen Habermas. Gjithsesi se kjo qasje do të mbetet një utopi, për aq sa shteti nacional do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm si entitet politik. Sepse në këtë kontekst gjuha është edhe kulturë dhe identitet ose, thënë ndryshe, pa gjuhë nuk ka as kulturë dhe as identitet.
Jo rastësisht, me shekuj është tentuar që ne shqiptarët të mos kemi një kornizë të shtetit nacional, pa të cilin do të zhbëhej gjuha, me të edhe kultura dhe identiteti. Si rezultat i kësaj, sidomos ne shqiptarët e Maqedonisë, jo rrallë herë i kemi mbrojtur dhe vazhdojmë t’i mbrojmë resurset e kulturave tjera dhe për resurset e kulturës tonë as që e vrasim mendjen.
Është absurde që gjuha shqipe u bë për kaq kohë mjeti kryesor i tregtimit politik dhe, më absurde, që i gjithë korpusi ynë politik po përpiqet të mbrojë resurset e një kulture të huaj, pa e vënë në binarët e duhur juridikë kulturën e vet.
Unë për vete i mbroj me fanatizëm resurset e kulturës time shqiptare, sepse i jam borxh asaj për edukimin dhe shkollimin tim, për zhvillimin e implikaturave njohëse, për gjakun e derdhur brez pas brezi në mbrojtje të saj dhe për ëndrrat e mia të së tashmes dhe së ardhmes. Çdo narracion tjetër nga ky, paraqet një pazarllëk sui generis dhe të rrezikshëm për mirëqenien tonë kombëtare dhe gjeneratat që vijnë…