‘Gjelbërimi’ absurd i integristëve!

Shkruan: Medai Shaholli

Agjenda e gjelbërt e Ali Ahmetit dhe integristëve të tij nuk është gjë tjetër veç mashtrimit elektoral që i bëhet shqiptarëve para zgjedhjeve vendore.
Gjelbërimi i ambientit kurrë nuk ka qënë pjesë e agjendës së Ali Ahmetit dhe integristëve të DUI-t të cilët pasi masakruan pyjet dhe ambientin, pasi pushtuan lumenjt me mini hidrocentrale në malin Sharr, pasi mbushën vendin me deponi plehrash në vendbanimet shqiptare, hodhën në treg shpikjen e re ‘Agjenda e gjelbër’ të partisë si program i agjendës për të ardhmen.

Të jemi të qartë se, nuk ka asnjë program të gjelbër dhe ekologjik në kokat e integristëve të djathtë veç demagogjisë për një program të majtë si gjithë ekologjistët europian.

DUI ngelet një parti e djathtë për nga programi dhe një parti me udhëheqës pa ideal dhe pa ideologji, ajo thjeshtë është një parti përfituesish që nuk i lidh asgjë me programin politik kombëtar.
Ajo përfaqëson një grup pragmatistësh që brenda saj shohin vetëm si t’i realizojnë interesat e tyre personale dhe karrieriste.

Ndaj, përqëndrimi dhe fokusimi i integristëve për agjendat e gjelbërta pasi ka nxirë mushkëritë dhe jetët e shqiptarëve për dy dekda me ato politika, sot kërkojnë t’i ndriçojnë përmes ‘gjelbërimit’ mendjet e shqiptarëve me demagogji dhe fjalë boshe për një ambient të gjelbërt dhe të pastër ekologjik.