Gigi Hadidit i kishin thënë se s’e ka trupin për modele

Gigi Hadid është njëra nga modelet më të njohura në botë, por as ajo nuk është ‘imune’ ndaj kritikave për pamjen e saj.

24 vjeçarja ka rikujtuar për revistën i-D fillimet e saj në industrinë e modës gjysmë dekade më parë kur disenjatori i famshëm francez Jean Paul Gaultier ishte i pari që i bëri prova nëse ajo mund të bëhet modele.

“Unë isha në përfundim të shkollës së mesme, dhe i kisha format trupore të një volejbollisteje. Ato forma trupore më pëlqenin shumë. E dija se sa shumë kisha punuar që t’i kisha ata muskuj dhe të isha më e bëshme në pjesët e trupit ku unë doja – në fakt, ato forma trupore më mungojnë tani. Në atë kohë, njerëzit ishin të ashpër ndaj meje duke provuar të më thonë se nuk i kisha format trupore për t’u bërë modele”.

Supermodelja ka thënë se Gaultier i kishte dhënë një veshje që nuk i mbulonte shumë trupin.

“Në atë kohë, kishte disenjatorë ose stilistë që më merrnin në sfilatat e tyre, por zakonisht më jepnin veshje që më mbulonin shumë trupin. Kështu, ai më bëri të ndjehesha se donte që unë të shkëlqeja në atë mënyrë – dhe kjo kishte shumë rëndësi për mua si modele e re. Unë e di se ai e ka bërë këtë gjë edhe për shumë njerëz të tjerë”.

Në muajin shkurt të vitit 2018, pasi format trupore të Hadid ishin sërish në qendër të kritikave, modelja zbuloi se ajo ishte duke u përballur me një sëmundje autoimune.

“Për të gjithë ju që jeni kaq të vendosur ta kuptoni se pse ka ndryshuar trupi im kaq shumë gjatë viteve të fundit, ju ndoshta nuk e dini se kur unë e fillova karrierën nuk isha diagnostifikuar me sëmundjen Hashimoto. Të gjithë ju që më thatë se isha “shumë e shëndoshë për këtë industri” keni parë vetëm pezmatim dhe grumbullim të ujit”.

“Unë mund të jem “tepër thatanike” për ju, në fakt as unë nuk dua të jem kaq e dobët, por kështu po ndjehem më mirë dhe më shëndetshëm. Në fakt unë akoma jam duke mësuar se si të rritem së bashku me trupin tim çdo ditë – si të gjithë ju”, kishte sqaruar ajo.