Gashi: Kandidati ynë për president do t’i fitojë zgjedhjet, ftoj BDI-në të na mbështesë! (Video)

 

Kryetari i partisë “Alternativa” Afrim Gashi është i bindur se kandidati për president të RMV-së nga opozita shqiptare do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale. Në një prononcim për gazetën LAJM, Gashi i bëri thirrje BDI-së që ta përkrahë kandidatin e opozitës, emri i të cilit do të shpaloset ditëve në vijim.

“Fitues absolut të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve parlamentare. Kjo s’është pritje e Alternativës apo e Afrim Gashit, por është pritje e qytetarëve, e gjithë shqiptarëve, është nevoja 22 vjeçare për ndryshim. Andaj, nga njëra anë ne si parti politike opozitare kemi bërë çmos që të bashkojmë votën, të bëjmë program të mirë, të dalim me një ofertë pozitive dhe nga ana tjetër, vullneti i madh i qytetarëve për ndryshim besoj që është argument i mjaftueshëm që na jep të drejtë që të besojmë se në këto zgjedhje do të kemi definitivisht ndryshim dhe shpresë, për një kapitull të ri tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Gashi për gazetën LAJM.

Lidhur me zgjedhjet presidenciale keni thënë se do dilni me një kandidat që i kalon kufijtë etnikë dhe partiak. A mund të dijmë për kë bëhet fjalë?

“Unë nuk jam. Pasi nuk jam unë, është e rrugës që kandidati që do të jetë, të del në konferencë për shtyp bashkë me mua dhe kolegët e mi të koalicionit dhe ta bëjmë të ditur. Nuk ka mbetur shumë ditë, është çështje orësh kur gjithë opinioni do ta dijë këtë vendim tonin, se kush do të jetë kandidati për President”, tha Gashi.

A do të jetë shqiptarë kandidati?

“Po, patjetër që po”, u shpreh shkurt Gashi.

Si do t’i bindni qytetarët maqedonas të votojnë për një shqiptarë?

“Jam i bindur se edhe te maqedonasit ka një nevojë për ndryshim dhe besoj që sikur që në vitin 2016 kur disa shqiptarë votuan për LSDM-në, përshkak se e shikonin Gruevskin si të keqe të domosdoshme, unë mendoj se tash është koha që edhe maqedonasit ta kuptojnë se është koha që BDI të shkojë në opozitë dhe kjo është interes i përbashkët edhe i maqedonasve edhe i shqiptarëve . Nga ana tjetër, kandidati jonë jam i bindur se ka performanca që nuk lidhen vetëm me përkatësin e tij etnike. Si profesionist, si karakter, mendojmë se plot njerëz do ta pëlqejnë një figurë të tillë, që të jetë përfaqësues i secilit qytetar. Mendojmë se kësaj here do të votojnë gjithë qytetarët nga njëra anë dhe nga ana tjetër kam shumë besim, duke i parë edhe sondazhet, duke e ditur se LSDM-ja do të ketë një rënie historike, jam shumë i bindur se nëse votat shqiptare mblidhen në një vend, do të kalojmë në raundin e dytë dhe në raundin e dytë mendoj se është më lehtë të votohet për një kandidat shqiptarë dhe që ka performanca profesionale, njerëzore, sesa për kandidat nacionalist, që mendojmë se do të jetë në palën maqedonase”, deklaroi Gashi.

Dmth jeni të bindur se kandidati juaj presidencial do t’i fitojë zgjedhjet?

“Po jemi të bindur. Hyjmë në garë për të fituar dhe jemi të bindur se kësaj here edhe BDI-ja nuk do të nxjerrë kandidat, por do ta mbështet kandidatin që do të kemi ne për President shqiptar. Gjatë kohë kanë folur për këto dilema, është koha e fundit që BDI njëherë ta përkrahë opozitën, sidomos një opozitë e cila është e bashkuar ashtu si e ka dashur Ali Ahmeti, ai na ka bërë disa herë kërkesë që të bashkohemi, ja plotësuam këtë dëshirë, ja po dalim me një kandidat, besoj që ai duhet ta përkrahë kandidatin tonë. Zgjedhja e kryetarit të shtetit që buron nga qytetari jep legjitimitet shumë më të fuqishëm se edhe kryetari i Parlamentit edhe kryeministri, sepse nuk është dhuratë prej ndonjë partie apo marrëveshje politike, por është drejtëpërdrejtë nga qytetari dhe ne kështu si shqiptarë dëshmojmë se jemi shtetformues në këtë shtet dhe kjo do të ishte fuqia më e madhe politike e shqiptrëve që mund ta arrinim si faktor politik shqiptar në këtë vend”, tha Gashi.