Funksionarët e LSDM-së me pagë minimale, pjesën tjetër e japin për luftë me koronavirusin

Sekretari gjeneral i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Lupço Nikollovski në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se edhe përkundër vendimit, siç tha ai, të turpshëm të Gjykatës Kushtetuese, funksionarët e LSDM-së për dy muaj do të marrin pagë minimale prej 14.500 denarëve, kurse pjesën tjetër të pagës do ta dhurojnë në fondin shtetëror për ballafaqim me Covid-19.

“Pas vendimit të turpshëm të Gjykatës Kushtetuese, njoftoj se të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar të LSDM-së, pjesën e pagës që kalon 14.500 denarë do ta japin si donacion në fondin shtetërorë për ndihmë të qytetarëve dhe luftën kundër virusit korona”, tha mes tjerash Nikollovski.

Ndryshe, Kushtetuesja ditë më parë vendosi të ngri vendimin e Qeverisë me të cilin funksionarët e lartë dhe të zgjedhur në shtet duhej dy muaj të marrin pagë minimale prej 14.500 denarëve. Kjo do të thotë do ti marrin pagat e plota deri në vendimin përfundimtar të gjykatësve. Me këtë vendim, tani për tani bie në ujë plani i Qeverisë në këtë mënyrë të kursejë 4 milion euro për ballafaqim me krizën e koronës.