Filipçe: Maska mbrojtëse në tubimet parazgjedhore

MSH-ja DO TË REKOMANDOJË MBAJTJEN E MASKAVE NËPËR AKTIVITETET E PARTIVE

Edhe pse nuk ka protokolle zyrtare për mbajtjen e maskave në ambient të hapura, Ministri I Shëndetësisë Venko Filipçe do t’u rekomandojë përfaqësuesve të partive politike, që nëpër tubimet e organizuara nga në prag të zgjedhjeve lokale, të vendosen maskat dhe të respektohet distanca.

VENKO FILIPÇE, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Përkundër faktit që nuk ka rekomandim zyrtar për mbajtjen e maskës në ambient të hapur, qytetarëve u rekomandohet të mbajnë maska dhe është mirë të jemi të gjithë të vetëdijshëm, ta bëjmë këtë, ta mbrojmë veten…Që sot do të gjej mënyrë t’u rekomandoj të gjitha partive politike.”

Ndërsa kryeministri Zoran Zaev u pyet se përse nuk respektohen protokollet nëpër tubime dhe ku ndodhen inspektorët dhe policia që të dënojnë qytetarët që nëpër nuk e tregojnë certifikatën për vaksinim. Ai tha se ata si organizatorë bëjnë gjithçka për respektim të protokolleve, por me vetëiniciativë vijnë edhe një numër shtesë i qytetarëve.

Kujtojmë se sipas masave të fundit për mbrojtje nga koronavirusi, qytetarët janë të obliguar që të tregojnë certifikatën për vaksinim ose vërtetimin se e kanë kaluar koronavirusin, gjë që është e obligueshme për të gjitha llojet e ngjarjeve në ambient të hapur. /KlanMacedonia/