Familja Geci reagon pasi Specialja përmendi Komunikatën 59: Selimi e Krasniqi e paskan thënë të vërtetën

Në Gjykatën Speciale sot, ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë procesit gjyqësor të sotëm është përmendur edhe Komunikata numër 59.

Në lidhje me këtë ka reaguar familja Geci, pasi në të ishte përmendur emri i Gani Gecit.

Vëllau i tij, Fadili me anë të një postimi në Facebook ka shkruar se “Edhe në Hagë Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi e paskan thënë të vërtetën për Komunikatën nr 59”.

Ai thotë se se ata që e kanë shkruar këtë komunikatë ishin pasardhësit e Leninit, Stalinit, Dushan Mugoshës e Milladin Popoviqit

“Historia do të tregoj se ata që shkruan Komunikatën nr.59 ishin vet tradhtarët, ishin pasardhësit e Leninit, Stalinit, Dushan Mugoshës e Milladin Popoviqit ishin pasardhësit e Titës, Enver Hoxhës, Fadil Hoxhës dhe Ali Shukrisë që njëjtë në vitin 1944-1945 e quajtën tradhtar Miftar dhe Halil Bajraktarin, ata i vrau Rusia dhe Serbia”, ka shkruar Fadil Geci në Facebook

“Ndërsa njëjtë si në vitin 1945 edhe në vitin 1998 Hashim Thaçi dhe kompania shkruajnë Komunikatën nr.59 kundër vëllaut tonë, Gani Gecit. Komunikatën nr.59 e shkrujtën për të na vrarë e për të na sharë vëllaun tonë dhe familjen tonë”, shtoi ai.

“Unë Fadil Geci, në emër të familjes sime kam shkuar në shtëpinë e Hashim Thaçit dhe e kam takuar babain e Hashim Thaçit dhe vëllaun e madh Gani Thaçin, i kam kërkuar sqarime për Komunikatën nr.59, i kam thënë: Haxhi, djalin e ki drejtor të drejtorisë politike, po mundoheni me ba njëjtë si Fadil Hoxha e Ali Shukria në vitin 1945, jam ardh në shtëpinë tënde lajmëroje djalin tënd se për Komunikatën nr.59 herët a vonë do mbash përgjegjësi”.

“Dije ata që e kanë shkruar Komunikatën nr.59 një ditë do të dalin para drejtësisë”.

Ai konfirmoi se edhe atë e ka pyetur Prokuroria Speciale në lidhje me Komunikatën 59.

“E konfirmoj se edhe mua Prokuroria Speciale më ka pyetur rreth historisë së Komunikatës nr.59 dhe familjes sime si dhe historisë tradhtare të Hashim Thaçit”.