Në vigjilje të nismës për ndryshime të Preambulës së Kushtetutës, Shqiptarët – popull shtetformues

Shkruan: Mahi Nesimi

Përcaktimi i paluhatshëm dhe këmbëngulës i strukturave politike dhe shtetërore të Maqedonisë së Veriut për integrim në Bashkimin Europian, paraqet përmbledhje të dëshirave permanente të gjithë qytetarëve të këtij vendi, të deklaruara dhe mbështetura që nga paraqitjet e këtyre synimeve. Andaj, propagandimi i këtij synimi bëhet tërësisht i panevojshëm, iritues, demode dhe i tepëruar.
Por, insistimi i paluhatshëm, këmbëngulës dhe agresiv i Republikës së Bullgarisë që qytetarët e Maqedonisë me përkatësi kombëtare bullgare t’i bashkangjiten vargut të popujve të tjerë që jetojnë në këtë shtet dhe të përmenden në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ka gjasë të shkaktojë tronditje më të thella politike. Skena politike në këtë pjesë të Ballkanit shumë lehtë – në të ardhmen, mund të “begatohet” me qasje dhe zhvillime të reja të politikëbërjes, si nga aktorët vendas ashtu edhe nga faktorë të tjerë vendimarrës në politikat dhe synimet e shteteve konkrete.
Kërkesa ultimative e Bullgarisë për përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës, miratimi i saj nga shtetet e Bashkimit Europian, problemet që mund dhe do të lindin në të ardhmen janë të shumta dhe kompleske, andaj dhe kërkojnë analiza mjaft të thella, serioze dhe të gjithanshme.
Në kontekst të inkuadrimit të vendit në BE, që paraqet një dëshirë plebiscitare, popullata shqiptare paluhatshëm qëndron në krye të mbështetjes së këtij përcaktimi.
Megjithatë, kërkesa këmbëngulëse e Bullgarisë detyrimisht na shtyn të shtrojmë pyetjen: çka bëjnë shqiptarët në këto kohëra turbulente dhe a kanë ndonjë kërkesë të veten? Të mos e zgjasim me pyetje të kësaj natyre.
Me formimin e Maqedonisë si shtet (1945) shqiptarëve të këtushëm iu përcaktua statusi juridiko-kushtetues i pakicës kombëtare. Pavarësisht ndryshimeve të shumta që ka pësuar Kushtetuta e Maqedonisë, statusi i tyre kushtetues nuk ka ndryshuar.
Kjo nuk ndodhi as në vitin 1991 (deputetët shqiptarë nuk e votuan atë Kushtetutë) as në vitin 2001 – pas konfliktit të armatosur. Por, për dallim nga viti 1991, në vitin 2001 deputetët shqiptarë (me pajtimin paraprak dhe insistimin e drejtëpërdrejt të Ali Ahmetit) u pajtuan të miratojnë një Kushtetutë me Preambulë të re, tërësisht të ndryshuar nga ajo e nënshkruar në Marrëveshjen e Ohrit më 13 gusht 2001.
Të përkujtojmë se status të pakicës kombëtare në Kushtetutat e Republikës së Maqedonisë, deri në vitin 2001, kishin vetëm shqiptarët dhe turqit. Ndërkaq, në Preambulën aktuale (2001) këtë status e fituan edhe: serbët, boshnjakët, romët dhe vllehët. Pra, pas konfliktit, statusi juridiko-kushtetues i shqiptarëve jo vetëm që nuk u avansua, por fatkeqësisht tepër u degradua meqë shqiptarët pranuan të barazohen edhe me grupet etnike siç janë romët dhe vllehët.
Kërkesa e Bullgarisë është legjitime dhe nuk ka çka të diskutohet e të kontestohet. Në mbarë këtë rëmujë që po (dhe do të) shkaktohet në shtet fitohet përshtypja se shqiptarët fare nuk janë të interesuar për avansimin e statusit të tyre juridiko-kushtetues. Kjo, duket hapur, është mjaft transparente dhe e prerë. Ka kohë që partitë politike shqitare me mjaft zell e kanë nisur garën për mbështetjen e përfshirjes së bullgarëve (po edhe të tjerëve) në Preambulën e Kushtetutës.
Deri më sot nuk është dëgjuar dhe as që është hetuar ndonjë rezervë, qoftë edhe minimale që, me këtë rast, të miratohet një Preambulë e re në të cilën përveç inkuadrimit të bullgarëve dhe (siç thuhet edhe të kroatëve dhe malazezëve) të mendohet edhe për avansimin e statusit të shqiptarëve dhe më në fund të realizohet dëshira e kahmotshme e tyre – fitimi i statusit të popullit shtetformues. Hë për hë, në horizont nuk shihet asnjë shenjë që paralajmëron se partitë politike shqiptare janë të preokupuara me këtë çështje.
Për të qartësuar problemin e Preambulës të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut jam i shtrënguar të thirrem në të dhëna zyrtare statistikore të numrit të popullatës që jeton në shtet. Nga të dhënat më të reja, zyrtare, të fituara nga regjistrimi i popullsisë (para 10 muajve) është bë e qartë se përbërja kombëtare e popullatës së këtushme rezidente është si më poshtë:

Këto janë 7-të bashkësitë etnike të evidentuara si përbërëse të popullatës së shtetit. Nga të dhënat konstatohet se qytetarët tjerë, të paevidentuar sipas përkatësisë kombëtare, paraqesin 1.03 për qind të banorëve. Në kuadër të kategorisë statistikore TË TJERË, bëjnë pjesë edhe qytetarët me përkatësi kombëtare bullgare, numri i të cilëve është 3.504 ose 0.19 për qind e popullatës së përgjithshme. Si pjesëtarë të bashkësisë kombëtare kroate janë regjistruar 2.145, ndërsa si malazez 1.023 qytetarë që bashkërisht bëjnë numërin 3.168 ose 0.17 banorë.

Duke analizuar shifrat dhe veprimin e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, lirisht do të themi se ato pajtohen me çdo gjë që e kërkojnë ose imponojnë të tjerët (posaçërisht përfaqësuesit e BE-së dhe ShBA-ve), pa mbajtur kurrëfarë llogarie për interesat dhe nevojat më madhore të votuesve të tyre – shqiptarëve.
Në këtë kontekst bëhet i domosdoshëm theksimi i konstatimit se, popullata rezidente shqiptare në Maqedoninë e Veriut kap shifrën prej 24.30 për qind, ndërsa nëse llogarisim edhe popullatën jorezidente, përqindja e shqiptarëve arrinë në 29.52 për qind. Kjo popullatë, autoktone, politikisht do të barazohet me malazezët që në shtetin e tyre janë vetëm 278.865 pra (167.380) më pak se shqiptarët e Maqedonisë.
Sipas asaj që manifestohet publikisht, partitë politike shqiptare fare nuk janë të preokupuara me statusin juridiko-kushtetues të popullatës që e përfaqësojnë, edhe pse i kanë të gjitha shansat për të demonstruar përkushtim më serioz për të drejtat e shqiptarëve, por edhe mundësinë për ta realizuar këtë nevojë.
Të përkujtojmë se në të kaluarën, në takime të ndryshme formale dhe jo formale, individë dhe grupe njërëzish me njohuri relevante për interesat strategjike kombëtare të shqiptarëve kanë shqyrtuar mundësinë për hapjen e debatit për ndryshime kushtetuese, me qëllim që shqiptarëve t’u sigurohet pozita e popullit shtetformues.
Duke e analizuar përmbajtjen e nenit 130 të kushtetutës ku përcaktohen mundësitë e ndryshimit të saj, është konstatuar se nga katër mundësitë, më e kapshme, është ajo e grumbullimit të 150.000 nënshkrimeve të qytetarëve. Por, të vetëdijshëm për politikën që partitë politike maqedonase e udhëheqin kur janë në pyetje kërkesat madhore të shqiptarëve, respektivisht për mënyrën e vendosjes në Kuvend, posaçërisht për iniciativa dhe kërkesa të kësaj natyre, ka dominuar bindja se i gjithë ky mund, jo i vogël, nuk do të prodhojë kurrëfarë efekti. Andaj dhe nuk është ndërmarrë një aktivitet i tillë.
Me përbërjen e fundit parlamentare, kur numri i deputetëve shqiptarë arriti në 32 (tani janë 30) u krijuan të gjitha mundësitë që, në bazë të mundësisë së tretë të theksuar në nenin 130 (kërkesë mund të bëjnë më së paku 30 deputetë) deputetët shqiptarë të vihen në funksion të realizimit të dëshirës mbi 78 vjeçare të shqiptarëve. Nga ajo që deri më tani dihet, partitë politike shqiptare (dhe deputetët) këtë mundësi jo vetëm që nuk e kanë shfrytëzuar, por as që janë preokupuar me të.
Nga ajo që është dëgjuar deri më tani, haptas dëshmohet gatishmëria e pushtetit që në Preambulën e Kushtetutës të përfshihen të gjithë pakicat kombëtare dhe grupet etnike që jetojnë këtu, pavarësisht nga numri i tyre. Me këtë rast, ligjvënësi do të udhëhiqet nga dëshira, respektivisht kërkesa e bashkësisë përkatëse për të qenë pjesë e Preambulës. Kjo do të thotë se status të njëjtë juridiko-kushtetues me shqiptarët ka mundësi të fitojnë edhe 18 pjestarë të popujve të tjerë dhe grupeve etnike.
Zgjidhja e mënyrës së veprimit të partive politike dhe deputetëve shqiptarë lidhur me çështjen në fjalë është e drejtë e tyre e garantuar me çdo rregull ligjore dhe politike. Atyre në asnë mënyrë nuk mundet të iu kontestohet e drejta e zgjedhjes dhe renditjes së prioriteteve shtetërore dhe politike gjatë veprimit politik.
Megjithatë, nëse ata nuk bëjnë kërkesë dhe nuk këmbëngulin për avansimin e statusit kushtetues të shqiptarëve, në historinë e veprimit të garniturave të tanishme do të mbeten si përfaqësues shqiptarë që për asnjë moment nuk janë preokupuar dhe nuk kanë punuar për të mirën e shqiptarëve, edhe pse kanë qenë përfaqësues të tyre.