Shënimi i 15 Prillit si Dita Botërore e Artit është ngjarje e një rëndësie të veçantë për Fakultetin e
Arteve të Universitetit të Tetovës. Përmes një punëtorie të organizuar, u krijua një hapësirë
ndërveprimi mes studentëve dhe të rinjve që ndodhen në prag të orientimit të tyre profesional.
Kjo datë lidhet simbolikisht me figurën e Leonardo da Vinçit, piktorit të njohur të Rilindjes italiane,
dhe festohet në mbarë botën. Kësisoj, organizimi i punëtorive dhe aktiviteteve prezantuese nga
Fakulteti i Arteve shërben si një mekanizëm efektiv për promovimin e programeve studimore në
artin dramatik, muzikor dhe figurativ, si dhe për demonstrimin konkret të arritjeve dhe zhvillimit
artistik të studentëve.
Këto aktivitete nuk kanë vetëm karakter informues, por edhe formues, pasi u mundësojnë
maturantëve të krijojnë një perceptim të drejtpërdrejtë mbi procesin e edukimit artistik. Lidhur me
rëndësinë e kësaj dite dhe organizimin e punëtorisë së studentëve foli prodekania për arsim në
Fakultetin e Arteve, Prof. Dr. Jëlldëz Asani. Ajo theksoi se qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është i
shumëfishtë: të inkurajohen të rinjtë të ndjekin dhe kultivojnë talentin e tyre artistik si një formë e
rëndësishme e shprehjes individuale; të vetëdijësohen për rolin e artit si faktor kyç në zhvillimin
kulturor dhe shoqëror; si dhe të kuptojnë se arsimi artistik nuk është vetëm një zgjedhje
profesionale, por edhe një rrugëtim që kërkon përkushtim, disiplinë dhe pasion.
Në këtë mënyrë, Fakulteti i Arteve pozicionohet jo vetëm si institucion arsimor, por edhe si një
qendër që promovon vlera estetike, kreative dhe qytetare te brezat e rinj.
Punëtoritë kreative kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e talenteve të rinj, veçanërisht te
maturantët që janë në fazën e vendimmarrjes për studimet e tyre të ardhshme në fushën e artit.
Përmes një programi të larmishëm, i cili përfshiu shfaqje dramatike, filma me metrazh të shkurtër,
punëtori fotografie, interpretime të muzikës klasike me violinë dhe violë, si dhe performanca nga
studentët e pikturës, skulpturës, qeramikës, dizajnit grafik dhe aktrimit, maturantët jo vetëm që u
informuan më mirë për mundësitë e tyre profesionale, por edhe u frymëzuan ta shohin artin si pjesë
të rëndësishme të kulturës dhe identitetit.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Arteve të UT-së, Prof. Ord. Senad Abduli, theksoi se fakulteti ka
privilegjin të zhvillojë drejtimet artistike me një staf akademik të kualifikuar dhe me përvojë të
pasur profesionale. Sipas tij, ky staf ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e gjeneratave të
artistëve, nga të cilët kanë dalë aktorë, regjisorë dhe artistë të njohur, të angazhuar në institucione të
rëndësishme kulturore. Ky sukses dëshmon për cilësinë e edukimit artistik që ofron fakulteti dhe për
kontributin e tij të vazhdueshëm në zhvillimin e jetës kulturore dhe artistike në vend dhe më gjerë.














