Europe House në Kriva Pallankë shënon ditëlindjen e saj të 3-të

Sot, Ambasadori David Geer, Shef i Delegacionit të Bashkimit Europian ishte në Kriva Pallankë për të shënuar ditëlindjen e 3-të të Europe House së atjeshme.

Aktivitetet njëditore të ditëlindjes u organizuan në kontekstin e vitit 2024 si Viti Europian i Aftësive. Të rinjtë nga Kriva Pallanka, Kumanova, Rankovca, Likova dhe Kratova shfaqën projektet e tyre inovative në një Panair të Inovacionit dhe Aftësive Rinore në Europe House në Kriva Pallankë. Projektet kombinuan robotikën me STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë), Lego, arte dhe AI (Inteligjencë Artificiale). Ata sollën në pah kreativitetin dhe aftësitë e nxënësve për zgjidhjen e problemeve në fushën e teknologjisë, qëndrueshmërisë mjedisore, gastronomisë dhe muzikës.

Europe House në Kriva Pallankë është themeluar nga Delegacioni i Bashkimit Europian në mes të pandemisë në vitin 2021. Që atëherë, ky “vend i gjeneratës së re” bashkoi të rinjtë nga Kriva Pallanka, si dhe komunat fqinje nga pjesa tjetër e rajonit very-lindor. Mbi 22,000 pjesëmarrës morën pjesë në rreth 530 ngjarje që u organizuan në tre vitet e fundit. Nga këto, 177 ngjarje dhe 6,154 pjesëmarrës i referohen vetëm vitit 2023.

Europe House në Kriva Pallankë është “vendi i parë i gjeneratës së re” i themeluar jashtë Shkupit, dhe pothuajse menjëherë u pasua nga Strumica (shkurt 2021). Dy Europe House tjera u hapën vitin e kaluar në Manastir (maj 2023) dhe Veles (qershor 2023). Struga dhe Tetova po i shtohen rrjetit tashmë në fillim të vitit 2024, duke kompletuar kështu rrjetin e shtatë Europe House të shpërndara në mënyrë të barabartë në mbarë vendin.