Është miratuar raporti i Ilhan Quçuk për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, amandamenti nuk kaloi

Me 558 vota pro, 70 kundër dhe 59 abstenime, Parlamenti Evropian e miratoi rezolutën e raportuesit për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Quçuk.

Raporti i mirëpret përpjekjet e Maqedonisë së Veriut në reformat për anëtarësim në BE dhe e inkurajon Shkupin dhe Sofjen për të gjetur një zgjidhje reciprokisht të pranueshme për mosmarrëveshjen për shkak të së cilës Maqedoninë e Veriut nuk mund t’i fillojë negociatat me BE-në pavarësisht reformave të përmbushura.

Amandamenti i paraqitur nga Social Demokratët dhe të Gjelbrit përmes së cilit dënohet retorika provokuese e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut nuk kaloi për shkak të një bllokade nga eurodeputetët nga Partia Popullore Evropiane dhe Konservatorët Evropianë.

Ilhan Quçuk e mirëpriti faktin që Maqedonia e Veriut vazhdoi me reformat pavarësisht nga pandemia e Kovid-19.

“Shpresoj që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të vazhdojnë me dialogun për çështjet e pazgjidhura bilaterale për të arritur një rezultat të qëndrueshëm. Arritja e një kompromisi mbi një plan veprimi me masa konkrete, zbatimi i të cilave do të vlerësohej rregullisht nën Marrëveshjen e Miqësisë, do ta rifillonte procesin dhe do t’i lejonte Këshillit ta mblidhte konferencën e parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Quçuk.

Eurokomisioneri për zgjerim, Oliver Varheji para fillimit të seancës deklaroi se ai shpreson që Maqedonia e Veriut do të mund zyrtarisht t’i fillojë negociatat në gjysmën e parë të këtij viti, gjatë presidencës së Portugalisë me BE-në.