Zaev: Zgjidhje për personat pa shtetësi duhet të ketë, por ajo duhet të jetë e qëndrueshme

Kryeministri Zoran Zaev konsideron se çështja lidhur me atë që një numër i caktuar i personave në shtet nuk mund të marrin shtetësi është diçka që duhet të zgjidhet, por, siç theksoi, për atë nevojitet të sillet një zgjidhje e qëndrueshme. Ai paralajmëroi se që nga e hëna mund të ulet, të bisedohet dhe të bëhen përpjekje të përbashkëta të gjendet zgjidhje.

“Ja, të propozoj të ulemi të hënën, të martën, të mërkurën, në fillim të javës së ardhshme, do të vij unë, ministri i Drejtësisë, ministri i Punëve të Brendshme dhe nëse ka ndonjë institucion tjetër kompetent për këtë çështje, së bashku me përfaqësuesit e opozitës dhe të pushtetit do të zgjedhim, të ulemi dhe ta zgjidhim çështjen. Do të thërras ekspertë nga shërbimi amë, nga MPB-ja, nga kabineti im, do të përgatitemi paraprakisht me ide, ju që keni ide, të gjithë së bashku të ulemi dhe ta zgjidhim këtë çështje”, tha Zaev duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit Elmi Aziri nga Aleanca për shqiptarët.

Thelbi i zgjidhjes së çështjes, theksoi Zaev, duhet të jetë në pajtim me standardet juridike. Ai është i bindur se për këtë çështje mund të gjendet zgjidhje në bashkëpunim me të gjitha institucionet. Që kjo çështje të zgjidhet, tha, duhet të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme, sepse nëse është jashtë standardeve, jashtë dëshmive konkrete, jashtë procedurave konkrete, siç mund të jetë lehtë e zbatueshme, ashtu lehtë edhe mund të humbë në të ardhmen.

“E keni hapur këtë çështje, pushteti duhet të veprojë, përkatësisht ne, organet ekzekutive, të zgjedhur nga ky Parlament duhet të veprojmë. Ashtu është rendi, nuk ka si të bëhet ndryshe”, tha Zaev.

Sipas tij, gjithnjë derisa edhe një qytetar është pa shtetësi, ndërkaq ka edhe fëmijë këtu apo ka prindër këtu, apo ka shokun e vet bashkëshortor këtu apo jeton gjatë këtu, ka lindur këtu apo ngjashëm, ky është problem që duhet të zgjidhet.

Zaev konsideron se nga informatat që i ka nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria për shërbimin amë kanë evidentuar 850 qytetarë të cilët janë paraqitur vetë.

“Le të jenë dyfish më shumë – 1500 ky nuk është numër i vogël, numër serioz edhe pse përmendet në opinion 6 000, 50 000, 20 000 apo ngjashëm, ne duhet t’i zgjidhim tërë këta qytetarë dhe unë besoj se kemi njerëz profesionistë, ekspertë të cilët edhe juve edhe neve mund të na ndihmojnë si ta zgjidhim këtë”, tha kryeministri Zaev.

Nëse dakordoheni, tha ai, përmes koordinuesit tuaj të grupit të deputetëve dhe koordinuesi i grupit të deputetëve të LSDM-së javën e ardhshme kur do të keni ju mundësi të gjithë ne do të vinim këtu të bisedojmë për këtë çështje dhe të gjejmë zgjidhje. Me këtë, tha, të gjithë qytetarëve të vendit do t’u jepet mundësia që t’i realizojnë të drejtat e veta.

Koalicioni Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa kanë parashtruar zgjidhje ligjore për këtë çështje. Për shkak se kjo nuk është vendosur në rend dite në Kuvend, deputetët nga koalicioni parashtruan mijëra amandamente dhe bllokuan një numër të madh të ligjeve./TV21