Emigrantët, MPB: Gjendja e kufijve është e pandryshueshme

Afër vend-kalimit kufitar në Tabanoc, janë vërejtur emigrantët e parë ilegal. Nga videoja e arritur në redaksinë e televizionit Alsat shihet se filloi vala e re e emigrantëve, si rezultat i vendimit të Qeverisë turke për t’ua hapur kufijtë emigrantëve sirianë që synojnë shtetet e BE-së e të cilët do të duhet të tranzitojnë përmes Maqedonisë së Veriut. Megjithatë nga Ministria e Brendshme nuk japin detaje rreth situatës.

Sa i përket çështjes së migrimit ilegal, ju njoftojmë se gjendja e kufijve shtetëror është e pandryshueshme. Ndërsa sa i përket ngjarjeve në rajon, të njëjtat ndiqen në vazhdimësi”-thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndërkohë situata në kufirin Greqi-Truqi është e tensionuar, policia greke tenton t’i ndalojë emigrantët përmes gazit lotsjellës të mos depërtojnë në territorin e shtetit grek, ndërsa emigrantët kundërpërgjigjen me hedhje gurësh.

Autoritetet e Athinës janë zotuar se do të bëjnë çmos që t’i mbrojnë kufijtë, duke shtuar se 24 orët e fundit i kanë penguar rreth 4 000 emigrantë ilegalë dhe se 66 janë arrestuar. Ndërkohë Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan tha se rreth 18 000 emigrantë janë grumbulluar në zonën kufitare dhe se gjatë ditës numri mund të rritet deri në 30 000. Pas sulmeve ajrore në Idlib, ku mbetën të vrarë 33 ushtarë turq Qeveria turke vendosi t’i hapte kufijtë për emigrantët sirianë të cilët që nga viti 2015-16 po i pengonte të shkonin në shtetet e Bashkimit Evropian./Alsat