Ekonomia e luftës

Shkruan: Selami Xhepa

Këto ditë, gjithçka është në një rritje frenetike: çmimet e naftës, gazit, ushqimeve, pasurive, monedhave të huaja, arit, lëndëve të para … gjithçka. E vetmja që shënon rënie është monedha vendase dhe pagat që po rraskapitin ekonominë familjare dhe po çojnë mijëra familje në mizerje ekonomike. Argumenti është i thjeshtë: lufta në Ukrainë dhe sanksionet ekonomike. Për pasojë, siç e thotë kryeministri ynë, thjesht duhet të vuajmë se nuk kemi çfarë të bëjmë.

Madje, si për t’i bërë gjërat edhe më keq, kryeministri tha nga zyra e tij se do të vuajmë të gjithë pasojat e luftës. Na ftoi të shohim se çfarë ndodh në rajon dhe të mos ankohemi! E vërtetë është se prej muajsh rritja e çmimeve është shqetësuese. Konflikti që po përfshin kontinentin tonë vetëm se i ka përkeqësuar më shumë gjërat. Por, a është e mjaftueshme që një qeveri thjesht t’i bëjë thirrje popullit të vet të presë më të keqen dhe vetë të mos bëjë asgjë? A është e moralshme që qeveria të vazhdojë të marrë borxhe për të financuar projekte investimesh me efektivitet të dyshueshëm, porte, aeroporte, tunele, autostrada etj., të kritikuara nga të gjithë të huaj dhe vendas, ndërkohë që kërcënohet mbijetesa e mijëra familjeve dhe e vetë ekonomisë kombëtare?

Kur çmimi i naftës kapërcen çdo limit të arsyeshëm dhe të pajustifikuar nga tregjet dhe në vend që qeveria të nisë urgjent një hetim të thelluar dhe të thërrasë në zyrë “grushtin (aq janë – sa pesë gishtat e dorës)” e tregtarëve që punojnë në këtë treg dhe t’u kërkojë llogari, kryeministri reciton një fjalë të errët se qytetarët duhet të përgatiten për ditë edhe më të errëta? Kur gjysma e çmimit të produktit përcaktohet nga taksat që ai vetë i ka vënë dhe thotë se çmimin e përcakton tregu?

Me këtë logjikë, pse atëherë e hoqi akcizën për naftën e jahteve të miliarderëve? Këta soji socialistësh ua kalojnë edhe vetë fundamentalisteve të tregut! A ka bërë një inventar qeveria se sa janë sasitë e disponueshme të burimeve? Që nga nafta, gruri e të tjera lëndë të para me rëndësi jetësore? A nuk merren informacione çdo ditë nga doganat se me çfarë çmimesh sillen këto produkte në treg dhe këtë informacion ta ndajë menjëherë me institucionet që mbikëqyrin tregun dhe garantojnë konkurrencën, që nga tatimet, inspektoratet, autoritetin e konkurrencës etj.?

Kaq e vështirë është të bësh një inventar të një ekonomie sa kjo jona që është sa një magazina e një ekonomie të madhe dhe të marrësh disa masa për të garantuar sigurinë ekonomike të vendit, që është një element kyç i sigurisë kombëtare? Sot lexova se presidenti i Serbisë garantoi se për një muaj e gjysmë çmimi naftës do të jetë jo më shumë se 1.5 euro/litër për fermerët dhe të tjerët; Maqedonia e Veriut vërtet e rriti çmimin e energjisë elektrike këtë fillimviti me rreth 18.5 për qind, por njëherësh reduktoi TVSh=në nga 18 për qind në pesë për qind, pra, e ka kompensuar qytetarin plotësisht për rritjen e çmimit.

Na nxjerrin një teori se në Maqedoni nafta është e lirë se atje paguhen taksat ndryshe, por kjo nuk ka asnjë bazë logjike se një taksë që paguhet një herë në vit është tjetër gjë, dhe një taksë që paguhet çdo ditë është një gjë krejt tjetër; për më tepër në termat e sasisë absolute shifrat janë pa asnjë bazë krahasimi. Kur Rusia iu kundërpërgjigj sanksioneve të BE-së në vitin 2014, qeveritë evropiane miratuan 500 milionë euro për bizneset që u prekën. Nuk dolën në televizor të thoshin se “lufta i ka këto; kush shpëtoi, shpëtoi”. Qytetarët paguajnë që të mbajnë në këmbë një qeveri pikërisht për ditë të tilla të vështira; që ata të tregojnë përgjegjshmëri dhe dhembshuri për qytetarët dhe sidomos për më të pamundurit.

Kur vetë qeveria ka frikë të çojë inspektorët e vet në dyert e biznesmenëve që komandojnë ekonominë dhe politikën, dhe nuk ka asnjë frikë nga revoltat e qytetarëve, atëherë shteti nuk është më i qytetarëve dhe kjo nuk paralajmëron ditë të mira më vonë. Sa nuk është akoma vonë, qeveria duhet sa më parë të shqyrtojë gjendjen e rezervave të mallrave kritike dhe të qetësojë opinionin publik dhe konsumatorët; të thërrasë operatorët e tregut dhe të ndërtojnë së bashku një plan për të garantuar furnizimin e pandërprerë të burimeve; të rialokojë më prioritet mbështetje buxhetore për familjet që janë në programet sociale dhe pensionistët dhe grupet e tjera vulnerabël; të hiqen menjëherë disa taksa mbi karburantet për të lehtësuar çmimet “e çmendura” që kanë aplikuar tregtarët; së bashku me ministrinë që mbulon ushqimin dhe bujqësinë të ndërtojnë plane të shpejta dhe afatgjata të sigurisë ushqimore.

Fatmirësisht, sistemi ynë bankar dhe financiar është i shëndetshëm dhe mund të mobilizohen burime të brendshme të mjaftueshme për të përballuar situatat që po kalojmë, pa lejuar përshkallëzim të mëtejshëm të tyre. Qeveria duhet të dëshmojë me vepra se është në krye të situatës, jo duke këshilluar qytetarët të shmangin çmimet e larta duke ecur në këmbë, por duke ndjekur ngjarjet në kohë reale, duke dialoguar me publikun në mënyrë transparente dhe duke marrë masat e nevojshme dhe brenda mundësive tona për ta kapërcyer këtë situatë delikate që është krijuar. Një ekonomi lufte duhet të funksionojë me një tjetër logjikë nga ajo e kohës normale.