LSDM bën thirrje të mbështeten masat e reja të propozuara nga qeveria

Partia maqedonase në pushtet, LSDM u bëri thirrje deputetëve të kuvendit të mbështesin masat e reja të propozuara nga qeveria që, sipas tyre, ndihmojnë qytetarët.

“Qeveria e udhëhequr nga LSDM miratoi paketë me 26 masa me të cilat mbrohet standardi i qytetarëve dhe i ndihmojnë ekonomisë për të tejkaluar efektet negative nga kriza globale dhe energjetike”, shprehen nga LSDM duke theksuar se për këto masa nevojiten ndryshime dhe plotësime në ligje.

Ata shprehen se deputetët kanë përgjegjësi dhe obligim para qytetarëve të japin mbështetje për këtë paketë ekonomikë me vlerë prej 400 milionë eurove.

“Krahas masave për zvogëlimin e akcizave dhe TVSH-së për derivatet e naftës, është siguruar edhe mbështetje për kategoritë më të rrezikuara dhe mbështetje për kompanitë”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Në fund ata shtojnë se VMRO-DPMNE duhet të heq dorë nga bllokimet dhe të votojë në kuvend për masat e propozuara.