Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Regjizori i njohur dhe me zë të padiskutueshëm, Mevlan Shanaj, ka lëshuar publikisht pyetjen për kryeministrin Rama, duke i kërkuar atij se “Pse na zhgënjeve ne që të besuam”! Nuk dyshoj aspak në sinqeritetin e artistit të madh. Nuk e paragjykoj për faktin pse ai i ka besuar deri më sot Edi Ramës. Në shumë raste edhe intelektualët e mëdhenj duan të jenë të sigurt, kur shprehin një pikëpamje ose një qëndrim. Madje duan që të jenë perfekt dhe të mos dyshojnë se qëndrimin e tyre do ta refuzojë një kohë tjetër. Krejt normale është kjo.
Ndërsa për ne që Edi Ramën e kemi njohur në distancë është ndryshe. Njohja në distancë shpesh herë të zhvesh nga nostalgjia e fëmijërisë ose e rinisë. Të bën më të vëmendshëm dhe të besueshëm në mendimin që pjek për një ngjarje, fenomen apo personazh. Por njohja në distancë bëhet vetëm atëherë kur personazhin, në rastin konkret Edi Ramën, e ke ndjekur në çdo kohë, në çdo hap, në çdo deklarim, në secilin prej akteve që ai ka kryer. Sepse arsyetimi dhe gjykimi për ngjarjen, fenomenin e personazhin nuk mund të jenë objektive, nëse nuk mundesh të bësh krahasimin midis çdo etape të zhvillimeve dhe qëndrimeve, në rastin konkret atyre politike. I mirënjohuri Mevlan Shanaj nuk ka patur as kohë dhe aq mundësi ta bëjë këtë. Nuk ka patur shans që ai ta ndjekë në secilin hap dhe në secilën vendimmarrje kryeministrin e vendit. Ndaj dhe ai nuk ka mundur që ta shohë më sytë e moszhgënjimit atë.
Në fakt Edi Rama ka zhgënjzer ëndërrat e gjithë qytetarëve shqiptarë që në vitet e para të qeverisjes së tij. Në vitin 2013, edhe unë që kam votuar të djathtën, ju thosha miqve të mij “Le të ndodhë ndryshimi se këta socialistët mund t’i bëjnë së paku nja dy gjëra më mirë se sa ne demokratët”! Ndonjë më shihte me dyshim, kur thosha këtë lloj shprehje të besimit te kundërshtari politik. Por nuk është faj të besosh te e mira për vendin. Për një vit isha i rezervuar të bëj kritika të hapura ndaj qeverisë Rama, sërishmi me shpresën se ai do të bënte diçka më të mirë sesa demokratët e Sali Berishës. Por pas një viti u binda për plotësisht se Edi Rama nuk është vetëm zhgënjimi im, ishte dhe do të ishte zhgënjimi i të gjithë shqiptarëve, madje kërcënim për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Për mua që ndjek çdo ditë e çdo orë zhvillimet në Ballkan dhe në Kosovë ishte e qartë që në nëntorin e vitit 2014 se qeveria shqiptare e Edi Ramës po shkonte drejt një aleance të ngushtë e të gjithanshme me Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq. Dhe se këtë ai nuk po e bënte për interesin e Shqipërisë. Po e bënte që të shihej nga BE dhe SHBA si faktor stabiliteti në rajon dhe kësisoj të “bënte diferencën” me paraardhësin e tij, të cilin e konsideronin pengesë “për pajtimin shqiptaro-serb”! Pra, po e bënte që të fitonte besueshmërinë e partnerëve perendimorë, pa pyet aspak nëse sjelljet e tij politike dhe diplomatike i dëmtonin ose jo interesat e shqiptarëve dhe në veçanti të Kosovës. Nga kjo aleancë lindën dhe u mbështetën të gjitha projektet e Beogradit për Kosovën dhe Ballkanin. U mbështet ndarja e Kosovës, krijimi dhe përpjekja për ta imponuar Open Balkan, si dhe shumë iniciativa të tjera pro serbe.
Duke përfituar nga mbështetja ndërkombëtare, Edi Rama e përdori këtë për të ndërtuar brenda vendit një shtet feudo-autokratik. Derisa sa erdhi te sjellja prej feudali në lidhje me pronat e shqiptarëve. E kam paralajmëruar faktin se një ditë kupa do të dredhej, sepse prekja e pronës, grabitja e saj për t’ua dhënë miqve të Edi Ramës, atyre që quhen oligarkë, do ta sensibilizonte opinionin publik. Kjo tashmë ka ndodhur. Por janë shumë 13-14 vite për ta toleruar një qeverisje që vetëm grabit, që varfëron pjesën më të madhe të shqiptarëve dhe me taksat tona pasuron një grusht njerëzish. Janë shumë kaq vite të mos e vëresh se si kryeministri i vendit tënd ndërton struktura korruptive e kriminale brenda strukturave të shtetit. Se si ai koordinon veprimtarinë e strukturave të korrupsionit me eksponentët e krimit të organizuar, me të cilët konsumon verë speciale me çmime prej 33 mijë eurosh, ose sa pensioni 15 vjeçar i një pensionisti. Se si ai pret e përcjell në zyrën e tij eksponentët e organizatave mafioze ndërkombëtare, siç ishte rasti i eksponentit të organizatës terroriste të Sinaloas në Meksikë.
Koha ka qenë e mjaftueshme edhe para dhjetë vitesh për të dalluar se Edi Rama i ka zhgënjyer shqiptarët. Do të mjaftonte kanabizimi i Shqipërisë për këtë. Do të mjaftonin aktet e grabitjes së votës dhe gjithçka tjetër, që e ka çuar Shqipërinë në këtë situatë kaq të vështirë. Ndërkohë që qeverisja e Edi Ramës jo vetëm nuk bëri dy gjëra më mirë sesa ajo e mëparshmja, përkndrazi e bëri çdo gjë keq e më keq, si për inat të atyre që e besuan aq shumë kryeministrin e Shqipërisë. Megjithatë nuk është vonë. Asnjëherë nuk është vonë për ta parë dhe dëshmuar të vërtetën. Të vërtetën e hidhur se Edi Rama nuk është vetëm zhgënjimi, por edhe kërcënimi më i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët!



