Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) njoftojnë se në pikën kufitare “Bllacë”, javën e kaluar kanë ndaluar importin nga Republika e Kosovës të dy dërgesave me qumësht UHT (Ultra High Temperature – pra, trajtim në temperaturë ultra të lartë), me peshë totale prej 27.520 kilogramësh, për shkak të pranisë së aflatoksinës mbi përqendrimet maksimale të lejuara, të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Siç njofton AUV-ja, sasitë e pasigurta të qumështit, të destinuara për shitje në një zinxhir marketesh në vend, javën e kaluar janë asgjësuar në mënyrë të sigurt në deponinë e Drisllës, nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar.
Mostrat për testim laboratorik të dy dërgesave të pasigurta me qumësht UHT janë marrë në kuadër të Programit të Monitorimit, të cilin shërbimet inspektuese të AUV-së e zbatojnë në pikat kufitare për dërgesat me ushqime me origjinë shtazore që importohen në vend.
Më 17 korrik të këtij viti, Agjencia miratoi edhe Vendim për vendosjen e masave të veçanta të sigurisë gjatë importit të qumështit, produkteve të qumështit, si dhe produkteve që përmbajnë qumësht të kondensuar dhe qumësht pluhur. Me këto masa janë forcuar kontrollet zyrtare gjatë importit të këtyre produkteve, përmes testimeve të detyrueshme laboratorike dhe kontrolleve të përputhshmërisë me kërkesat e cilësisë.
“Qëllimi është që në tregun vendas të vendosen vetëm produkte të sigurta dhe cilësore, si dhe të sigurohet konkurrencë e drejtë dhe mbrojtje për prodhuesit vendas dhe konsumatorët”, thekson AUV-ja.





