Me buqetë lulesh, Islam Abazi ia dorëzon detyrën shefes së re të Prokurorisë për Krim të Organizuar, Iskra Haxhi Vasilevës
Iskra Haxhi Vasileva ka marrë zyrtarisht drejtimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke e pasuar në këtë post Islam Abazin.
Ceremonia e dorëzim-pranimit u zhvillua sot në ambientet e Prokurorisë, ku Abazi e priti pasardhësen e tij me një buqetë lulesh.
Haxhi Vasileva falënderoi Abazin për gjestin, duke theksuar se ambientet e institucionit i njeh mirë, por se tani, në pozitën e re drejtuese, i përjeton ndryshe.
Pas ceremonisë, të dy zhvilluan një takim të shkurtër me dyer të mbyllura, ndërsa më pas ishte paraparë të takoheshin me kryeprokurorin e shtetit, Nenad Saveski.
Haxhi Vasileva është gruaja e dytë që drejton këtë institucion dhe prokurorja e katërt në krye të tij. Ajo ka 11 vjet përvojë në prokurori dhe është zgjedhur për një mandat katërvjeçar.
Në zgjedhjet e 28 tetorit, ajo siguroi 64 vota, duke lënë pas katër kundërkandidatë. Emërimi i saj u konfirmua unanimisht nga Këshilli i Prokurorëve Publikë më 4 nëntor.
Shefja e re ka paralajmëruar se prioritet i saj do të jetë ndjekja më efikase e krimit dhe korrupsionit, veçanërisht e rasteve me interes të lartë publik.
Ndërkohë, Islam Abazi, i cili e drejtonte institucionin që nga viti 2022, rikthehet në Prokurorinë e Lartë Publike në Gostivar./360 Stepeni,





