Dimitrov: Historia t`i lihet historianëve

Zëvendës kryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov përmes një publikimi në Facebook ka reaguar rreth ngjarjeve të fundit pas intervistës së kryeministrit Zaev për agjencinë e lajmeve në Bullgari. Dimitrov thekson se Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë parasheh që historia t`i lihet historianëve ndërsa politikanët të merren me të tashmen dhe të ardhmen.

“Ideja e Marrëveshjes ishte historia t`i lihet historianëve, që ne të merremi me të tashmen dhe të ardhmen. Të zgjidhim çështjet bilaterale në mënyrë bilaterale, pa qenë ato pengesë në rrugën drejt BE-së. Gjuha dhe vetëvendosja, shtetësia dhe identiteti maqedonas nuk mund të jenë pengesë për integrimin në BE, e cila respekton diversitetin kulturor dhe gjuhësor si vlerë themelore, dhe as nuk mund të jenë pengesë për miqësinë e vërtetë, sepse ajo gjithmonë bazohet në respekt të ndërsjellë. Ky është qëndrimi im parimor, kjo është një betejë jo vetëm për thelbin maqedonas, por edhe për thelbin e vlerave evropiane, nga e cila nuk ka devijim. Ky është “virusi” i pavdekshëm i idealeve kundër të cilit kërkohet kot një “vaksinë”, shkruan Dimitrov.