Ndonëse ditë më parë kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e dha, siç e quajtën “lajmin e madh’ për fillimin e segmentit të rrugës Tetovë-Prizren që kalon mbi fshatin Shipkovicë, në nivelin qendror projekti po zvarritet dhe ende nuk është bërë projektimi i tunelit, pjesës më kritike të projektit, shkruan Portalb.mk.
Kasami duke u paraqitur nga Tirana njoftoi fillimin e punimeve për segmentin Tetovë-Prizren, mbi fshatin Shikovicë.
“Kjo pjesë e korridorit Tetovë-Prizren është e rëndësishme sepse me këtë po nisim në terren punimet për realizimin e këtij projekti”, tha Kasami.
Segmenti të cilit i referohet Kasami është mbi fshatin Shipkovicë nga rruga Tetovë – Kodra e Diellit ku e njëjta pritet të vazhdojë mbi fshatrat Brodec, Veshallë deri në Bozofcë, ndërsa pjesa tjetër e rrugës pritet të zgjerohet.
Kasami e përmendi edhe tunelin, i cili po zvarritet.
“Besojmë që edhe me projektimin e tunelit përfundimisht ëndrra e shqiptarëve për tu lidhur përmes Sharrit po bëhet realitet”, tha Kasami.
Qarkoja e rrugës Tetovë Prizren, do të lidhet nga rruga e Kodrës së Diellit, ndërsa pritet të përfundojë para tunelit në fshatin Bozovcë.
Pikërisht projektimi i këtij tuneli po zvarritet dhe nuk ka detaje konkrete se kur do të jetë gati dhe të shpallet tenderi.
Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore njoftoi për Portalb.mk se e kanë përgatitur programin projektues për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, ndërsa të njëjtën e kanë dërguar në Ministrinë e Transportit.
Megjithatë nuk ka ende afat konkret se kur pritet të shpallet tenderi për rrugë.
Nga kabineti i zëvendësministres së Transportit dhe Lidhjeve, Kaltria Zekolli Shaqirit, për Portalb.mk e konfirmuan se po punohet intensivisht në fazën e projektimit.
“Aktualisht, inxhinierët e Fakultetit të Ndërtimtarisë janë duke punuar në projektimin e tunelit, i cili do të jetë tuneli më i gjatë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pikërisht për këtë arsye, bëhet fjalë për një projekt inxhinierik me kompleksitet të lartë, që kërkon një përgatitje të detajuar dhe profesionale. Me përfundimin e projektimit të tunelit do të kemi edhe vlerësimin përfundimtar të projektit. Kjo do të na mundësojë të sigurojmë financimin e nevojshëm dhe të hapim procedurat për fazat e ardhshme të realizimit”, thanë nga kabineti i Zekolli Shaqirit.
Megjithatë nga aty nuk dhanë data konkrete.
“Duke pasur parasysh rëndësinë strategjike dhe përmasat e këtij projekti infrastrukturor, besoj se shumë shpejt do të kemi mundësinë ta prezantojmë publikisht projektin në tërësi, sapo të përfundojë faza e projektimit”, thanë nga kabineti i zëvendësministres.
Kjo çështje së fundmi u bë debat edhe në Kuvendin e RMV-së. Deputetja e BDI-së nga Tetova, Rina Ajdari tha se me këtë projekt bëhet propagandë për përfitimin e pikëve politike dhe se projekti ka ngecur.
“A është përpiluar dhe miratuar projekti infrastrukturor dhe projekti themelor për ndërtimin e rrugës magjistrale Tetovë-Prizren? A janë realizuar studimet, elaboratet dhe procedurat e nevojshme duke pasur parasysh se traseja e paraparë kalon nëpër territorin e parkun kombëtar të Malit Sharr”, tha Ajdari.
Ndaj kësaj pyetje, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski nuk pati përgjigje konkrete.
“Projekti po zhvillohet në mënyrë solide, të keni durim se bëhet fjalë për një projekt të komplikuar, duke pasur parasysh që terreni në dyja anët është i ndërlikuar, bëhet fjalë për Malin Sharr dhe pritet të jetë projekt i shtrenjtë për shkak të gjeologjisë malore”, tha Nikolloski.
Pas shumë zvarritjeve, në prill 2025 u formua grupi i përbashkët i punës midis RMV-së dhe Kosovës për këtë projekt, ndërsa takimi i parë u mbajt dy muaj më pas në qershor, ku u theksua përshpejtimi i procedurave burokratike.
Paraprakisht, nga Ministria e Transportit të RMV-së kanë bërë të ditur se është ndarë buxheti për fazën e projektimit të tunelit.
Ndryshe nga RMV-ja, në Kosovë me 13 gusht 2024 filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë. Paraprakisht me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.
18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.
Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.
Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani.



