Kontrolli i jashtëzakonshëm i cilësisë së produkteve të qumështit dhe mishit, i cili së fundmi u krye nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), nxorri në pah probleme tek pothuajse një e treta e produkteve të ekzaminuara. Informacioni se po hanin djathë me vaj palme në vend të yndyrës së qumështit dhe po blinin mish të mbushur me aditivë dhe ujë i shqetësoi qytetarët, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Mostrat për ekzaminim, gjithsej 91 në numër, gjatë këtij kontrolli u morën nga supermarketet, për çka u shqiptuan gjoba me një shumë të përgjithshme prej rreth 25.000 euro për shkak të shitjes së ushqimit me deklaracion të pasaktë. Nga ana tjetër rezultatet e fituara ngritën shumë pyetje rreth asaj se kush dhe si e kontrollon ushqimin që ne e konsumojmë.
Analiza e BIRN zbuloi lëshime të shumta në sistemin e kontrollit – nga ngecja e programeve të monitorimit në procedurat e tenderimit, tek “përzgjedhja e rastësishme” e laboratorëve ku ekzaminohen mostrat, e deri te një ligj që duhet t’i rregullojë disa nga këto probleme, por që ka tre vjet që pret për t’u miratuar.
Për Marijana Llonçar, kryetare e Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë, e cila për dekada të tëra e ndjek këtë sektori dhe ka kaluar shumë orë duke i edukuar qytetarët se si t’i lexojnë deklaracionet e ushqimeve, rezultatet e ekzaminimit të fundit janë një lloj disfate.
Për BIRN ajo tha se nuk është befasuar shumë nga ajo që u zbulua në ekzaminimet laboratorike, se sa nga veprimi i AUV-së për bërë një kontroll të jashtëzakonshëm të një numri më të madh të mostrave.
“Kjo duhet të bëhet më shpesh. Prodhuesit, importuesit, distributorët tanë janë paksa të relaksuar dhe mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan në treg – do përdorim qumësht pluhur, do fusim vaj palme dhe nuk do ta deklarojmë… Këtu nuk ka arsyetim, ky është mashtrim”, thotë Llonçar.
Monitorimi ka ngecur në tenderë të dështuar
Kur bëhet fjalë për kontrollin e ushqimit institucioni më i rëndësishëm është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me rrjetin e saj prej rreth 200 inspektorësh të cilët çdo vit kryejnë rreth 50 mijë inspektime të operatorëve të ushqimit kur analizojnë dokumentacionin dhe marrin mostra për ekzaminim si pjesë e mbikëqyrjes zyrtare.
Krahas kësaj obligim i tyre është edhe zbatimi i të ashtuquajturave programe monitorimi – të cilat kryhen jashtë mbikëqyrjeve zyrtare në kompanitë, e që konsistojnë në marrjen e mostrave për ekzaminime laboratorike të llojeve të caktuara të ushqimit dhe analizimin e rezultateve të fituara, me qëllim që të fitohet një pasqyrë më e gjerë e sigurisë dhe cilësisë së ushqimit, por edhe për t’i zbuluar rreziqet potenciale para se ato të shtohen.
AUV nuk ka laboratorin e vet, prandaj i duhet të angazhojë laboratorë të jashtëm për ekzaminimin e mostrave. Kur duhet të zbatojë programe monitorimi laboratorëi i siguron përmes tenderëve që shpesh dështojnë, që do të thotë se numri i planifikuar i mostrave nuk ekzaminohet.

Një shembull i mirë është ai i vitit të kaluar kur nuk është zbatuar aspak monitorimi i cilësisë së ushqimit me origjinë shtazore, ku bëjnë pjesë mishi dhe produktet e qumështit, të cilat u ekzaminuan pak kohë më parë në një mënyrë të jashtëzakonshme.
Kjo duhet të bëhet çdo vit si pjesë e programit të gjerë për shëndetin publik veterinar.
Por, tenderin për përzgjedhjen e laboratorëve për mostrat nga i gjithë programi, i cili përbëhet nga tetë lote ose pjesë, në vend se në muajin janar AUV e shpalli në qershor, kur edhe lidhi kontratë me laboratorin privat “Food Lab”, por vetëm për tre pjesë të tenderit që kishin të bënin me ekzaminimet mikrobiologjike, e jo me cilësinë e ushqimit. Shpallje e re është publikuar në muajin shtator, kur është zgjedhur laboratori i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare për t’i ekzaminuar mostrat për një pjesë tjetër – për sigurinë e ushqimit të kafshëve.
Deri në fund të vitit 2025 u shpallën edhe dy tenderë të tjerë për katër pjesët e mbetura, në mesin e të cilave ishte edhe ajo për cilësinë e ushqimit me origjinë shtazore, por të tenderët dy dështuan.
Edhe këtë vit procedura është e njëjtë. Në tenderin e parë “Food Lab” fitoi tre nga tetë pjesë. Pastaj u publikua një shpallje e re për pesë pjesët e tjera.
Ndërkohë në pesë vitet e fundit fondet për të gjithë programin, e veçanërisht për monitorimin e cilësisë së ushqimit, po ulen në mënyrë drastike. Nëse në vitin 2022 plani ka qenë që të ekzaminohen 1.440 mostra për 2,4 milionë denarë, këtë vit për këtë qëllim janë ndarë një milion denarë për 575 mostra.
Monitorimi është “i bllokuar” edhe tek programet e tjera
“Fat” të ngjashëm kanë edhe programet e tjera të monitorimit të cilat i kryen AUV, siç është ai për sigurinë e ushqimit me të cilin ekzaminohet çdo gjë – nga pesticidet në fruta dhe perime deri te substancat e ndaluara në enët që vijnë në kontakt me ushqimin.
Në vitin 2021 ai program nuk është zbatuar fare, parvjet janë realizuar rreth 50%, ndërsa vitin e kaluar pesë herë janë shpallur tenderë për përzgjedhjen e laboratorëve në të cilët do të ekzaminohen mostrat për këtë monitorim, ndërsa realizimi sërish ka dështuar.
Megjithatë, qëndrimi zyrtar i AUV-së është se ky nuk është një problem i madh dhe se pavarësisht tenderëve të dështuar “po arrihen rezultate solide”.

Për dallim nga kjo, veterinerët me të cilët biseduam flasin për probleme serioze. Për shembull, vitin e kaluar AUV nuk shpalli asnjë tender për shërbime laboratorike për mbrojtjen e kafshëve nga sëmundjet infektive si bruceloza, ndërsa këtë vit laboratori për ekzaminimin e mostrave u zgjodh tek në muajin qershor, pas një tenderi të dështuar për shkak të lëshimeve në dokumentacion.
“Por unë nuk mund të marr gjak nga kafshët në mes të verës, kjo bëhet në një kohë të caktuar”, shpjegoi një veteriner që punon në AUV në një bisedë joformale me BIRN.
Sistem që lë hapësirë për ndikim
“Me përzgjedhje të rastësishme”, kështu nga AUV e arsyetojnë zgjedhjen e laboratorit në të cilin u ekzaminuan mostrat gjatë mbikëqyrjes së fundit të jashtëzakonshme të cilësisë së produkteve të qumështit dhe mishit. Mostrat u analizuan në Institutin e Shëndetit Publik.
Përderisa programet e monitorimit janë një pjesë e rëndësishme e sistemit të kontrollit të ushqimit dhe kur kryhen ato laboratorët zgjidhen përmes një tenderi, pjesa tjetër, e cila është shumë më e gjerë, janë mbikëqyrjet e rregullta dhe të jashtëzakonshme të operatorëve të ushqimit nga inspektorët e AUV-së.
Nga AUV nuk bëjnë të ditur se për sa mostra nga mbikëqyrja e jashtëzakonshme e qumështit dhe mishit është kërkuar përsëritje e analizave dhe në sa raste rezultatet e fituara kanë qenë të ndryshme nga ato të analizës së parë.
Gjatë këtyre kontrolleve, të cilat quhen edhe kontrolle zyrtare, përveç shqyrtimit të dokumentacionit të gjerë mbi punën e kompanive, kërkohen edhe shumë analiza laboratorike, por në këtë rast inspektorët në terren duhet të zgjedhin vetë se në cilin laborator t’i dërgojnë mostrat.

Në vendin tonë ka rreth tridhjetë laboratorë që kryejnë analiza të ushqimit sipas metodave të akredituara, përfshirë këtu edhe pesë laboratorët me të cilët AUV ka lidhur kontrata – dy private dhe tre shtetërore. Të gjithë janë të përfshirë në kontrollin e ushqimit.
Kjo vendosje e sistemit mbart rrezik nga korrupsioni, sepse inspektorët për BIRN thanë se ata pak a shumë ishin nën presion nga drejtuesit e agjencisë për t’i dërguar mostrat në një laborator konkret.
Përndryshe, nëse operatori që i nënshtrohet mbikëqyrjes është i pakënaqur me rezultatin e mostrës së parë, ai mund të kërkojë ekzaminimin e një mostre të dytë, me ç’rast shpenzimet i mbulon ai vetë dhe në një laborator sipas zgjedhjes së tij. Nëse merren rezultate të ndryshme, atëherë kryhet një analizë e tretë, në një laborator të ndryshëm nga dy të mëparshmit.
Këtë vit AUV ka numrin më të madh të punonjësve dhe buxhetin më të vogël në pesë vitet e fundit. Nëse në vitin 2023 kishte mbi 800 milionë denarë, tani ka më pak se 600 milionë.
Ligji parasheh emërimin edhe të një laboratori kombëtar referent, i cili do të kryejë ekzaminime të tilla dhe do t’i kontrollojë laboratorët e tjerë, por në vendin tonë një laborator të tillë nuk ka. Sipas shpjegimit nga AUV, për këtë “nevojitet që Qeveria të sigurojë burime financiare që nuk ia ka miratuar AUV-së për këtë vit”.
Profesori Mirosllav Qosevski, prodekan i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, në kuadër të të cilit funksionon laboratori më i pajisur i këtij lloji në vend, thekson se duke e pasur parasysh rëndësinë e këtij sektori, nuk duhet të lejohen improvizime.
“Ato ekzaminime që janë me interes publik dhe për shëndetin publik, ato duhet të bëhen në institucione publike. Laboratorëve publikë duhet t’u jepet një lloj autorizimi, laboratori nuk mund të zgjidhet përmes një tenderi sipas parimit të ofertës më të lirë”, thekson profesori.
Nga pesticidet e ndaluara, e deri te qelqi në ajvar
E gjithë kjo mbart rreziqe si për sigurinë ashtu edhe për cilësinë e ushqimit. Kjo mund të shihet edhe në numrin e dërgesave të zbuluara të parregullta të ushqimit nga Maqedonia në vendet e BE-së, të cilat regjistrohen në RASFF – Sistemi evropian për paralajmërim të shpejtë dhe shkëmbim të informacionit lidhur me ushqimin që nuk i plotëson standardet evropiane të sigurisë dhe cilësisë.
Nga viti 2021 deri në vitin 2026 me ekzaminime laboratorike gjatë importimit të ushqimit nga Maqedonia në BE u zbuluan rreth 40 dërgesa problematike. Në shumicën e rasteve ka pasur pesticide të pa lejuara në fruta dhe perime, por laboratorët evropianë kanë regjistruar edhe probleme të tjera – siç janë copat e qelqit në ajvar, prania e padeklaruar e qumështit në akulloren e frutave dhe biskotat, e deri në nivele më të larta të konservansëve dhe ndotësve industrialë në disa lloje të ushqimeve.

Prandaj, në raportet e fundit të Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë ka vërejtje se vendi ka problem me kontrollin e pesticideve dhe për disa vite me radhë thuhet se është e nevojshme të miratohet Ligji për Kontrollet Zyrtare, i cili pritet të vendosë më shumë rend në këtë sektor.
Propozim – teksti i ligjit u vendos në Regjistrin Elektronik të Rregulloreve – ENER tre vjet më parë, pastaj u tërhoq për punim të mëtejshëm nga dy organet që duhet ta zbatojnë atë – AUV dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave, kompetencat e të cilave përputhen pjesërisht gjatë kontrollit të ushqimit.
E përderisa nga një institucion për BIRN thanë se ligji është kthyer në procedurë qeveritare, nga tjetri thanë se konsultimet midis Agjencisë dhe Ministrisë për finalizimin e tij janë në vijim e sipër.
Llonçar, kryetarja e organizatës që vlen si një lloj mbrojtëse e të drejtave të konsumatorëve, shpreson që e gjithë kjo të mos përfundojë vetëm me një inspektim të jashtëzakonshëm dhe disa gjoba të vogla.
Që të ketë ndryshime të vërteta ajo thotë se nevojiten më shumë kontrolle, më të rregullta dhe më rigoroze.
“Ne të gjithë jemi konsumatorë, si ata në pushtet ashtu edhe ata në opozitë, edhe fëmijët e tyre e hanë të njëjtën gjë dhe të gjithë duhet të jenë të shqetësuar dhe të diskutojnë se si ta përmirësojmë tregun”, thekson ajo.



