Dërgohet në Apelin Administrativ padia e LSI kundër karantinimit të emigrantëve

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka dërguar për kompetencë në Apelin Administrativ padinë e bërë nga LSI kundër vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për karantinimin e emigrantëve. Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi në Gjykatën Administrative të Tiranës anulimin e vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve, për vendosjen e karantinës dyjavore për shtetasit shqiptarë që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia.

Për LSI-në, ky vendim është arbitrar, absurd dhe në shkelje të hapur me Kushtetutën, duke e lidhur me datën e zgjedhjeve. Sipas padisë, vendimi krijon një dëm të parikuperueshëm ndaj shtetit të së drejtës, si dhe u mohon qytetarëve të drejtën e votës.

Komiteti i Ekspertëve, vendosi të aplikojë një karantinë 14-ditore për të gjithë ata qytetarë që duan të hyjnë në Shqipëri nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Masa e karantinës qëndron në fuqi deri më 3 maj. Sipas kryetares së Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, masa u mor pasi këto vende fqinje kanë ende shifra të larta ditore të infektimeve.