Deputeti i PD-së: Para selisë u godita edhe nga fytyra që njihja, që dikur i prisja si miq

Deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Roland Bejko, protagonist ditën e djeshme të momentit të parë të tensionit para selisë së PD, sot i përgjigjet deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, që foli për protestë paqësore, dhe se sulmi ndaj tij ishte thjesht një keqkuptim.

“Lipset të sqaroj opinionin publik, (jo Sali Berishën dhe mbështetësit e tij, se ata janë të qartë), se midis shumë personave që më qëllonin pas shpine, nga këmbët dhe pas qafës, dallova edhe një fytyrë që e njihja, por që emri i të cilit nuk më kujtohet. Sqaroj se këtë person e kam takuar midis viteve 1998-2005 kur vinte në Gjirokastër me disa të tjerë tropojanë, për të cilët ruaj miqësi dhe respekt, si njeri i afërt i Doktorit. Në atë kohë unë isha kryetar i PD-së aty, dhe më vonë anëtar i kryesisë së PDSH-së, pra bashkëpunëtor i afërt i z. Berisha deri në 2005. Si të tillë unë i prisja të gjithë me nderet e mikut për respekt të tyre dhe të z.Berisha, me dreka e darka”.

Bejko e identifikon atë si njeri i Sali Berishës, ish-punonjës i SHIK dhe policisë doganore. “Atij njeriu, unë nuk i kam ndonjë borxh, as ai mua deri dje, prandaj ai nuk kishte asnjë arsye personale për të ngritur dorën në pabesi e në mes të turmës, ndaj meje. Ai ishte aty pasi i ishte përgjigjur thirrjes së Sali Berishës për të pushtuar dhunshëm selinë e PD-së”.

Deputeti vijoi në përshkrimin e momenteve ku u sulmua nga turma para selisë. “Në sytë e tij dhe të gjithë atyre që më sulmuan, unë pashë urrejtje. Provova gjithfarë lloj emocionesh në ato çaste. Por atë të frikës, fare sepse ata njerëz dje mendonin me trurin e Sali Berishës. Çfardo që t’u thoje, ishte e kotë. Nuk të kuptonin. Vetëm gjuanin, të skërmiteshin në fytyrë, të shanin, të shtynin. Pashë urrejtje në fytyrat e tyre, sepse Sali Berisha na ka identifikuar të gjithëve ne që jemi kundër tij, si armiq. Dhe armikut duhet ti çahet kafka”.

Bejko kujton se “Sali Berisha këtë sjellje e ka bërë edhe me Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, Neritan Cekën, Arben Imamin, Eduart Selamin, Genc Rulin, Tomor Dostin, Leka Toton, Alfred Sereqin, Albert Brojkën, Vrionin, Pollon, Xhaferin, Tritan Shehun, Leonard Demin, Bamir Topin, etj, etj, etj, pra, i ka rrahur, e denigruar me njerëzit e vet të gjithë ata që i kanë dalë kundër në një moment të caktuar politik. Por, shpresoj të jem i fundit që rihet nga kamikazët e tij”, thotë Bejko, që gjithsesi nuk do të bëj denoncim, dhe duke falënderuar gjithsesi “ tre demokratët tropojanë që më ndihmuan dje t’u shpëtoja thonjve të njerëzve iracionalë dhe i ftoj për kafe pas qetësimit të “gjakrave” pavarësisht se kë mbështesin”./A2 CNN