Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e konfirmoi tërheqjen e PDK-së nga Ligji për Gjykatën Speciale, sipas përmbajtjes së ligjit që kaloi në dy lexime në muajin tetor.
Në një konferencë për media të enjten, Çitaku tha se pas takimit që ajo, bashkë me ish-kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, realizuan me kryeministrin Albin Kurti të enjten, kanë arritur pajtim që të punohet drejt miratimit të një Projektligji të ri për Gjykatën Speciale.
“Në takim me Albin Kurti, kryeministrin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, u dakorduam të vazhdojmë iniciativën e re ligjore për Dhomat e Specializuara. Projektligji do të ketë për bazë tekstin e Projektligjit që Kuvendi i Kosovës e miratoi në dy lexime në tetor”, tha Çitaku në një konferencë për media nga objekti i Kuvendit të Kosovës të enjten.
Ajo tha se ndryshimet që pritet të bëhen mbi atë tekst, do të bëjmë ndryshimet e nevojshme për të forcuar Ligjin juridikisht.
“Me z. Kurti jemi pajtuar për përmbajtjen e Ligjit dhe për ndryshimet që duhen bërë, por dallimet kanë qenë tek procedura parlamentare”, u shpreh Çitaku.
Ajo tha se edhe këto dallime u tejkaluan gjatë diskutimeve të sotme.
“U pajtuam që Ligji të procedohet në Kuvend javën e ardhshme”, deklaroi u.d. kryetarja e PDK-së. “U kërkoj ndjesë të gjithë atyre që për shkak të vonesave e paqartësive u shqetësuan sinqerisht se kjo nismë mund të mbetej përgjysmë. Sot, e japë zotimin tim që këtë nismë do ta dërgojmë deri në fund”.



