Çka nëse do të ketë zgjedhje të reja në Serbi?

Shkruan: Blerim Shala

Viti 2023 është ideal për arritjen e Marrëveshjes themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky ishte qëndrimi, i cili madje, u pati bërë publik, nga Washingtoni, Brukseli, Berlini dhe  Parisi, në verën e vitit të kaluar, pak kohë pasiqë në Serbi u mbajtën zgjedhjet presidenciale  dhe ato parlamentare.

Natyrisht, në takimet që zyrtarët dhe diplomatët amerikanë dhe evropianë patën me palën  kosovare dhe ate serbe, u ofruan detale të hollësishme për këtë kontekstin ideal kohor që  autoritetet më të larta të Kosovës dhe Serbisë, do të duhej ta shfrytëzonin për ta tejkaluar  vendnumërimin e rrezikshëm në dialogun e Brukselit, dhe për ta bërë këtë Marrëveshjen e  përkohshme, e cila do të mundësonte ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve.

U tha pra, qartë që në vitin 2023 nuk parashihej që do të ketë zgjedhje në Kosovë dhe në  Serbi, teksa në vitin e ardhshëm (2024), janë të parapara votimet për Presidentin e  Amerikës dhe për Parlamentin Evropian.

Veçmas kur dihet se çfarë fushate presidenciale do të zhvillohet vitin vijues në SHBA,  pritjet dhe vlerësimet e të gjithë politikanëve perëndimor që merren me Kosovën dhe  Balkanin bashkoheshin në konkludimin që do të duhej ngutur në shfrytëzimin e këtij viti për ta bërë këtë Marrëveshjen themelore.

Natyrisht, një tjetër urgjencë ishte justifikim shtesë për t’i shtuar përpjekjet e faktorëve  kryesorë ndërkombëtarë në këtë drejtim: Lufta në Ukrainë, dhe rreziku i bartjes së  konfliktit edhe në raportet e Kosovës dhe Serbisë, të cilat njohën tensionime të vazhdueshme të sigurisë në Veriun e Kosovës.

Në ndërkohë, siç e dimë të gjithë ne, në shkurt dhe në mars u arritën Marrëveshja për ecjen  para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe Aneksi për  zbatimin e saj.

BE-ja dhe SHBA-ja kanë potencuar vazhdimisht që bëhet fjalë për Marrëveshjet legalisht  obligative, përkundër hezitimeve dhe mohimeve (madje) publike të Presidentit të Serbisë,  Aleksandar Vučić.

Ajo e moçmja në diplomaci thekson (qind për qind sakt), që fati i një Marrëveshjeje është  zbatimi i saj.

Në këtë kontekst, si qëndrojnë punët tani, ka shumë pyetje e fare pak përgjigje se si do të  bëhet zbatimi i Marrëveshjes themelore dhe të Aneksit të saj, mbi të gjitha, për shkak të  interpretimeve vazhdimisht problematike të tyre nga ana e Presidentit të Serbisë. Por, një tjetër lajm i cili u bë publik këto ditë nga ana e Presidentit Vučić, rrezikon me  themel gjasat që këtë vit njëmend të ndodhë implementimi i Marrëveshjes. Vučić, teksa paralajmëroi për 26 maj një tubim të paparë në skenën politike të Serbisë të  viteve të fundit, (ky tubim duhet të dëshmojë popullaritetin e tij tek qytetarët e Serbisë), i  cili do të mbahet në Beograd, poashtu përmendi mundësinë reale që jo më larg se në shtator  të këtij viti, do të mund të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare në Serbi, as 18 muaj pas  atyre që u organizuan në muajin prill të vitit të shkuar.

Sekush që e di qasjen politike të Vučićit, mund të konstatojë, me të drejtë, që atij nuk i  dihet kurrë se çka dëshiron, apo, që e tëra mund të jetë vetëm një test provues për sjelljet  dhe reagimet e opozitës në Serbi.

Megjithatë, Vučić po jep shenja evidente të humbjes së baraspeshës politike, si në Serbi,  ashtu edhe në relacionet e tij me shtetet kryesore të Perëndimit, e më së shumti, në këtë  raportin me Kosovën dhe me dialogun e Brukselit.

Nuk do të ishte pra kurfarë befasie nëse ai, megjithatë, do ta jetësojë idenë e mbajtjes së  zgjedhjeve parlamentare në muajin shtator të këtij viti.

Gjasat që ai, apo koalicioni i udhëhequr prej tij, sërish të fitojë në zgjedhje janë të mëdha.  Në këtë mënyrë, pos tjerash, ai do ta siguronte një tjetër mandat qeveritar për partnerët e  tij në katër vitet vijuese, apo deri në përfundim të mandatit tij të dytë presidencial  pesëvjeçarë (në vitin 2027).

Në anën tjetër, ai do të blente kohë për vete karshi dy temave më të rënda për te: Zbatimin  e Marrëveshjes me Kosovën, dhe aplikimin e sanksioneve ndaj Rusisë.  Nëse njëmend do të ketë zgjedhje parlamentare në shtator në Serbi, atëherë lehtë mund të  parashikohet një ngecje e madhe në dialogun e Brukselit, diku prej fundit të qershorit deri  në nëntor të këtij viti, apo, edhe më shumë.

Në këtë mënyrë, gjithçka do të mund të bartej në vitin e ardhshëm, kur e tërë politika  amerikane dhe evropiane do të jetë një lëmsh zgjedhor.