Cërvica humbi një njeri human në Zvicër, nuk dihet a do të mund të varroset në vendlindje

Lajm i hidhur nga larg për Cërvicën time

Sapo mora vesh lajmin e hidhur se në Zvicër paska ndërruar jetë një bashkëfshatari im, z. Adil Mehmedi, i cili rrjedh nga një familje fisnike dhe patriotike. Ai ishte një njeri shumë i dashur, bujar dhe human. Më 28 shkurt më çoi ftesë për miqësi dhe i shkëmbyem disa fjalë përmallshëm. Vdekja atë e mori në moshën 58-vjeçare, dhe më e keqja, në dhé të huaj.
Familjes me këtë rast të kobshëm i shpreh ngushëllimet, kurse bashkëfshatarin tim, z. Adil Mehmedin, Zoti e shpërbleftë me parajsë!
Përndryshe, Cërvica, si gjithë vendbanimet e tjera shqiptare të Kërçovës, është e prekur rëndë nga plaga e kurbetit. Rreth 70% e banorëve të saj (diku 2000 nga 2500) jetojnë dhe punojnë kryesisht në Zvicër, Gjermani dhe SHBA. Migrimi ka filluar në vitet 70-ta shkaku i papunësisë së madhe dhe represionit të paparë ish-komunist ndaj shqiptarëve të Kërçovës, të cilët janë shquar për patriotizmin e pashoq.
Kurbetqarët tanë, edhe pse tashmë të integruar mirë në dhé të huaj, nuk ia kthyen kurrë shpinën Cërvicës dhe shqiptarisë. Ata e mbajtën gjallë shpirtin e kombit, kontribuuan në çdo proces shoqëror tonin dhe, fatkeqësisht, kurrë nuk e morën as mirënjohjen më të vogël për këtë.
Adili ishte një antikonformist i përbetuar, sepse vendlindjen dhe popullin e tij e deshi më shumë se veten e vet.
Tani, shkaku i pandemisë, është e paqartë, nëse shpirti i tij do të mund të prehet në paqe në varrezat e fshatit buzë Çukës, ku ai, dhe gjithë bashkëfshatarët e mi kurbetçarë, e ëndërrojnë për çdo natë.
Rast shumë i dhimbshëm, në kohë kur të gjithë jemi shpirtrazuar… (Arbër Çeliku)