Përtej politikës, Arben Taravari – neurologu dhe profesori me shumë tituj shkence që i shtriu dorën çdo njeriu në nevojë

Kur flasim për Arben Taravarin, shpesh drita e pasqyrave publike ndalet te figura e tij politike.

Mirëpo, përtej petkut të angazhimit shoqëror, ai ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme akademike dhe mjekësore.

Si Profesor Ordinar (i rregullt) në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ai ka investuar dekada në formësimin e gjeneratave të reja të mjekëve, duke ndërthurur dijen e thellë shkencore me etikën e lartë profesionale.

Pas diplomimit në vitin 1998, ai kreu specializimin në neurologji (2006) dhe mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës në fushën e sëmundjes së Parkinsonit (2011). Si ligjërues i respektuar dhe ish-drejtues i departamenteve të rëndësishme në Klinikën Universitare të Neurologjisë – si ai për sëmundjet ekstrapiramidale dhe departamenti për migrenat e dhimbjet e kokës – Taravari ka qenë për qindra familje një dorë e ngrohtë shpëtimi, duke u ofruar pacientëve një “reset” dhe shtigje të reja drejt shërimit.

“Të jetosh me dhe për njerëzit” – 28 Vjet pa Kompromis

Në këtë përvjetor të rëndësishëm të rrugëtimit të tij profesional, në një moment reflektimi të thellë, vetë Dr. Taravari ka ndarë një mesazh që ka peshën e një kredoje jetësore:

“Si sot para 28 vjetësh kam diplomuar si mjek. Për 28 vjet kam punuar me përkushtim e pa asnjë kompromis. Këto 28 vjet kam mundur të shtojë një grimcë ndihmë me anë të librave të mi shkencorë! Ndjej se kurrë nuk është mjaftueshëm të bësh për njerëzit, sado e vështirë ka qenë dhe është, vazhdon të jetë një mrekulli të shëroj, ndihmoj, jetoj me dhe për njerëzit!”

Ky rrëfim nuk është thjesht një bilanc karriere; është dëshmia e një mjeku që profesionin nuk e pa kurrë si mjet, por si mision, dhe dijen e vuri në shërbim absolut të tjetrit. Përtej titujve shkencorë, thirrjeve akademike dhe funksioneve publike, Arben Taravari mbetet ai që ka qenë gjithmonë: neurologu i njerëzve. Një intelektual që me të njëjtin përkushtim analizon një skanim të ndërlikuar truri, mban një ligjëratë para qindra studentëve në auditor, apo thjesht ulet pranë shtratit të një pacienti për t’i rikthyer gjënë më të shtrenjtë: shpresën dhe dinjitetin për jetën.

Kontributi Shkencor: Librat që Ndriçojnë Neurologjinë

Gjurmët e tij si shkencëtar, hulumtues dhe profesor janë të vulosura në një sërë botimesh akademike që sot shërbejnë si udhërrëfyes kryesorë për studentët dhe profesionistët e mjekësisë në mbarë rajonin. Siç dokumentohet edhe në arkivin e botimeve, veprat e tij më të njohura prekin sferat më delikate të trurit dhe mendjes njerëzore:

“Neuropsikiatria” dhe “Praktikum Neurologjik” – tekste themelore universitare dhe të shkollave të mesme të mjekësisë, të projektuara për të thjeshtuar kuptimin praktik të sëmundjeve nervore.

“Ekzaminimi Neurologjik” (Nevrološki pregled) – një udhëzues i detajuar klinik që zbërthen metodologjinë precize të ekzaminimit të pacientëve.

“Migrena, Dhimbje Koke dhe Sindroma Sëmundjesh” – një studim i thelluar shkencor mbi menaxhimin dhe trajtimin e sindromave të dhimbjes kronike që sfidojnë përditshmërinë e njeriut.

“Parimet Moderne Terapeutike te Sëmundjet Neurologjike” – tekst i fokusuar në trajtimet e avancuara dhe strategjitë e reja klinike kundër Parkinsonit, epilepsisë dhe demencës.

Bashkautor në botime prestigjoze ndërkombëtare si “Neuroimaging for Clinicians”, duke dhënë një kontribut me peshë në kërkimin shkencor global.

Monografia e tij më e fundit, “Mendja në Komunikim” (Umot vo komunikacijata), e realizuar në bashkëpunim me Marina Tuneva, e cila ndërton një urë unike mes neuroshkencës dhe shkencave të komunikimit, duke zbërthyer me mjeshtëri se si truri ynë krijon kuptimin, besimin dhe ndikimin social. Por janë edhe vepra dhe punime tjera shkencore që janë pjesë e instituteve dhe konferenca shkencore mjekësore të neurologjisë.(INA)