Biden shkakton sërish polemika me lëvizjet, tani në Samitin e G7

Një video e presidentit amerikan, Joe Biden që shihet duke u larguar nga liderët në Samitin e Grupit të Shtatë (G7) në Itali, përpara se të tërhiqej nga kryeministrja italiane, Giorgio Meloni, është bërë virale në mediat sociale.

Pamjet tregojnë presidentin 81-vjeçar duke humbur fokusin gjersa largohet për një moment nga një grup liderësh botërorë gjatë një demonstrimi të kërcimit me parashutë.

Ai u kthye në të majtë dhe iu afrua oficerit që po paketonte parashutën.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ndërhyri për ta rikthyer atë mes drejtuesve të tjerë. Dy liderët më pas pozuan për fotografi, ndërsa lideri amerikan vendosi ngadalë syzet e diellit.

Videoja ka qarkulluar në mediat sociale dhe ka ngjallur polemika, me disa që kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e 81-vjeçarit për të shërbyer një mandat tjetër.

Zëvendës sekretari i lartë i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, mbrojti presidentin, duke pretenduar se video ishte jashtë kontekstit.

“Ai po e përshëndeste një nga parashutistët”, shkroi Bates në platformën X.

Kjo nuk ishte lëvizja e vetme e çuditshme e Bidenit në Samitin e G7. Para kësaj, një video tregonte presidentin amerikan duke përshëndetur Melonin përpara se të largohej nga skena.

Ky është vetëm një nga shumë incidentet që po shkaktojnë shqetësim dhe shumë po pyesin nëse ai mund të udhëheqë vendin më të fuqishëm në botë edhe gjatë katër vjetëve të tjera.