Banorët në të dyja brigjet e Ngushticës së Tajvanit ndajnë aspiratën për të forcuar shkëmbimet e bashkëpunimin ndërmjet dy brigjeve, si edhe për të ruajtur paqen e qëndrueshmërinë në të dy anët e ngushticës, deklaroi të dielën një zëdhënëse nga pjesa kontinentale e Kinës.
Zhang Han, zëdhënëse e Zyrës për Çështjet e Tajvanit pranë Këshillit të Shtetit, i bëri këto komente ndërsa fliste për rezultatet e zgjedhjeve lokale në Tajvan, të mbajtura të shtunën, duke shtuar se pjesa kontinentale ka vënë re zhvillimet përkatëse.
Paqja, zhvillimi, shkëmbimet dhe bashkëpunimi përgjatë ngushticës janë ato që mbështeten nga shumica e opinionit publik në Tajvan, tha zëdhënësja.
Pavarësisht se si mund të ndryshojë peizazhi politik në Tajvan, drejtimi dhe prirja e marrëdhënieve përgjatë ngushticës në të ardhmen nuk mund të ndryshohen, dhe prirja historike që Kina duhet ta realizojë dhe do ta realizojë ribashkimin, nuk mund të ndalet, shtoi ajo.
Zhang tha më tej që pjesa kontinentale do të vazhdojë të mbështesë parimin e “një Kine” dhe Konsensusin e vitit 1992, si edhe të punojë me bashkatdhetarët e Tajvanit për të thelluar shkëmbimet, bashkëpunimin dhe zhvillimin e integruar në të dyja anët e ngushticës.
Ajo theksoi që pjesa kontinentale do t’i luftojë me vendosmëri forcat secesioniste të “pavarësisë së Tajvanit”, do të kundërshtojë ndërhyrjen e forcave të jashtme dhe do të çojë përpara me vendosmëri zhvillimin paqësor të marrëdhënieve midis dy brigjeve të ngushticës, si edhe kauzën e ribashkimit kombëtar.



