Bale ka kërkuar falje që nuk ishte pjesë e festës së titullit me Real Madridin

Real Madridi dje u shpall kampion i La Ligas për sezonin 2021-22, por Gareth Bale nuk ishte pjesë e festës.

Real Madridi dje mposhti me rezultat 4:0 Espanyol, kështu duke u shpallur kampion për herë të 35 në ligën spanjolle.

Pas fitores ‘Mbretërit’ e morën trofeun edhe pse kanë mbetur katër ndeshje deri në përfundimin e sezonit.

Pastaj festa vazhdoi fillimisht në tempullin madrilenë, e më pas në sheshin e famshëm të Realit, ‘Cibeles’.

Të gjithë ishin aty përveç yllit uellsian Gareth Bale.

Ai u la jashtë për atë sfidë për shkak të problemeve me shpinën, por ajo dhimbje ia pamundësoi të ishte me ekipin në festën e organizuar.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale Bale kërkoi falje që nuk arriti të jetë me ekipin pas triumfit.

“Shumë i zhgënjyer që nuk mund të jem pjesë e festimeve sonte për shkak të spazmës së shpinës, por shumë krenar me skuadrën që fitoi titullin. Shijojeni sonte djema!”, shkroi Bale, përcjell lajmi.net.

Uellsiani do të largohet në fund të sezonit nga ‘Santiago Bernabeu’, pasi nuk është pjesë e planeve të Carlo Ancelottit.