ASH me 20 përqindshin, qortimi i parë nga LSDM-BDI!

Nga Naser Pajaziti

Aleanca për Shqiptarët(ASH) a do ti shkoj deri ne fund heqjes së 20% nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut.

Ministri i drejtësisë nga kjo parti, Krenar Lloga lansoi këtë çështje si balon provues, por a do t’i shkojnë deri në fund këtij zotimi që ishte pjesë e premtimeve elektorale dhe që zëshëm artikulohej duke nisur nga Ziadin Sela.

Propozimi i Llogës si zë i ASH-së në Qeveri menjëherë zgjoi zërat kundërshtues me qortime, sa që përpos kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ministri i jashtëm, Bujar Osmani, i cili theksoi se nuk e di se cili ishte qëllimi i deklaratës së ministrit Lloga, por shtoi se procesi aktual për ndryshime kushtetuese nuk duhet të rëndohet me çështje të tjera politike, të cilat sipas tij mund të polarizojnë edhe më shumë shoqërinë.

Pse aq kauzë per çështjen bullgare, kur janë çështjet e pakorigjuara dhe të përçunduara shqiptare?!

Politika ditore shqiptare sot duhet të jetë përtej zhurmës, vetkënaqësisë dhe postimeve nëpër portale, gojën plotë e punët kërkund.

Fillimisht duhet pastruar dhe qartësuar kaosin dhe rrugëtimin pa kokë si popull i 20% me ligjet e përqindjeve që spo gjejnë zbatim.

Ne po mbetemi dëshmitarë të politikave të zhurmaxhinjëve, ‘selfieve’, hipotekave, inateve dhe tekeve.

Janë pak amendamente që mund t’i japin fund refreneve “cilado gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullsisë, apo cilido person që jeton në njësinë e pushtetit vendor në të cilin të paktën 20 për qind e popullatës flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga maqedonishtja mund të përdorë gjuhën e tij.”

Shqiptarët në këtë përbërje parlamentare, por edhe qeveritare janë faktorë të rëndësishëm për nga numrat, që mund të jenë më tepër se simbolikë.

Subjektet politike shqiptare me dualizëm shpalosin këtë problematikë dhe ky standard i dyfishtë përdoret varësisht nga rrethanat sezonale politike.

Me këto kalkulime politike vështirë do të hapet debati i shumëthirrur publik, shoqëror dhe në media, për demistifikimin dhe sqarimin e drejtë e pa emocione të përmbajtjes konkrete të Marrëveshjes së Ohrit dhe shmangjen e mashtrimeve lidhur me përmbajtjen e saj.

Numrat janë 33, kurrë ma mirë s’ka qenë. Hiqeni qafes 20%.