ASH: Masat e qeverisë duhet të nxisin mbajtjen e punëtorëve në punë

Kushtet, që punëdhënësit duhet t’i plotësojnë për shfrytëzim të ndihmës shtetërore, të paraparë në masën 1, të paketës së dytë të Qeverisë, për mbështetje të sektorit privat, në vend që të motivonin punëdhënësit të mbajnë punëtorët në punë, ka nxitur të kundërtën.

Çregjistrimi i punëtorëve nga puna i detyroi ata të shfrytëzojnë masën 4 të masave të të njëjtës paketë, e cila është vetëm një përshtatje me nenin 68 të Ligjit për punësim dhe sigurim në rast të papunësisë, që edhe ashtu ju mundëson punëtorëve kompensim në para prej 50% të pagës mesatare të punëtorit bazuar në 24 muajt e fundit të punës së tij, varësisht nga përvoja e punës që ka.

Detyrimi i punëtorëve të shfrytëzojnë masën 4 në kushte krize dëmton punëtorët sepse ndërprerja e marrëdhënies së punës ju ndërpret edhe përvojën e punës duke i detyruar të përdorin një të drejtë, të cilën nuk do të mund ta shfrytëzojnë në kushte normale, që ua mundëson ligji në fjalë si rezultat i përvojës së punës që ata kanë.

Nga ana tjetër shteti nëpërmjet Agjencisë për punësim edhe ashtu duhet të bëjë kompensimin, vetëm se nuk është arritur efekti i masave të kësaj pakete për mbajtjen e punëtorëve në punë, që do duhej të ishte synimi kryesorë i masave të qeverisë në këto rrethana.

Prandaj, Aleanca për Shqiptarët apelon që të ndërhyhet në masën 1 të paketës së dytë të masave të qeverisë, duke e përshtatur atë me nevojat e biznesit edhe atë:

– Bizneseve të goditura nga kriza, në vend 50%, t’u mundësohet 100% subvencionimi i kontributeve të pagave të punëtorëve në nivel të pagës minimale. Bazuar në numrin e të punësuarve në veprimtaritë e goditura nga kriza para së gjithash hoteleri, turizëm dhe transport që (sipas ESHS të RMV, IV/2019) është 72 743 të punësuar dhe kontributeve prej 107,6 euro të llogaritura në pagën minimale nevojiten 15.6 milion euro për dy muaj. Që do të thotë që 7.8 milion eurove t’u shtohen edhe 7.8 milion euro shtesë pra 100% që masën 1, të masave të qeverisë do ta bënte më të pranueshme, duke kontribuar në mbajtjen e punëtorëve në punë.

Atë që bizneset kanë bërë gjithmonë për shtetin, është koha që shteti ta bëjë për ta.

Aleanca për Shqiptarët,
13.04.2020