ASH-AAA: Ambientin jetësor nuk e ndotin qytetarët, por Qeveria LSDM-BDI dhe bizneset e tyre të dyshimta

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar kundër vendimit për shtrenjtimin e derivative të naftës për 3.5%. Ky vendim siç thonë është goditje për qytetarët në këtë kohë krize dhe një kohësisht siç deklaron nënkryetarja Bujare Abazi, është vetëm një keqpërdorim i ekologjisë për të mbuluar paaftësinë e Qeverisë aktuale në menaxhimin e buxhetit dhe pasojave të krizës, në kurriz të qytetarëve dhe afaristëve. Më së shumti nga ky vendim siç tha, do të pësojnë transportuesit.

Abazi tha që Qeveria nuk ka dhënë përgjigje sesi do të shpenzohen rreth 100 milionë euro që përmes taksës ekologjike do të merren nga qytetarët, në cilat projekte ekologjike do të dedikohen? Apo, pyet, edhe këto para do të përfundojnë siç përfunduan paratë e tjera në shumë afera korruptive e kriminale?

Bujare Abazi, nënkryetare e Aleancës për Shqiptarët

“Ekologjia nuk mund të mbrohet duke u vendosur taksa qytetarëve dhe afaristëve, e nga ana tjetër duke importuar mazut të dëmshëm për jetën e vetë qytetarëve. Aleanca për Shqiptarët vlerëson se ambientin jetësor nuk e ndotin qytetarët, por ndotësi dhe shkatërruesi më i madh është Qeveria LSDM-BDI dhe bizneset e tyre të dyshimta”.