ASH-AA: Të tërhiqet propozimi për Avokatin e Popullit

Pasi që tashmë është bërë zyrtare që kandidat për Avokat të Popullit është kandidati për kryeministër i BDI-së, Naser Zyberi, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është këtu që t’i bëjë thirrje shumicës parlamentare LSDM-BDI që ta anulojë konkursin dhe të shpallë konkurs tjetër, ngase kadidati Zyberi nuk e përmbush kushtin elementar e themelor për të qenë Avokat i Popullit sepse
Ligji mbi Avokatin e Popullit në

Nenin 3 thotë:
– Avokati i Popullit është i pavarur (i pa ndikuar) në ushtrimin e detyrës.

Dhe në Nenin 8 thotë:
– Funksioni Avokat i Popullit është i palidhur (i pa lejueshëm) me ushtrimin e ndonjë funksioni tjetër publik, profesioni apo anëtarësimin në parti politike.

Siç e di i gjithë opinioni, z. Naser Zyberi para 5 muajsh ishte kandidat i BDI-së për kryeministër, pra një figurë krejt politike, andaj si i tillë në këtë mënyrë atij i pamundësohet ta ushtrojë një detyrë që për nga natyra është jopolitike dhe me neutralitet të theksuar jopolitik. Nuk mjafton një deklaratë e kandidatit se nuk është anëtar partie, që të konkludohet paanësia e tij politike, kur të gjithë ne e dimë se ai është figurë shumë e fuqishme politike. Përveç dëmit që i shkaktohet kështu skenës politike në marrëdhëniet e ndërsjella mes aktorëve politikë, është degradim i thellë i institucionit të Avokatit të Popullit, madje – sipas nesh – nëse ndodhë të bëhet kjo zgjedhje, ky do të jetë një minus i madh në procesin euro-integrues të vendit. Në BE është e pakonceptueshme që dikush që dje ka qenë kandidat politik, pas dy-tre muajsh të pretendojë një funksion kaq jopolitik, siç është Avokati i Popullit. Në këtë mënyrë Maqedonia e Veriut i vë një njollë të rëndë drejtësisë në vendin tonë dhe e devalvon skajshëm rolin e ombudsmanit.
Nisur nga kjo, mënyra më e mirë që të shpëtohet fytyra jonë para partnerëve europianë është që të anulohet konkursi dhe të shpallet një konkurs tjetër me kritere të rrepta për figura që nuk kanë bagazh politik së paku në 8 vitet e fundit.
E krejt për fund, nuk kemi si mos konkludojmë se aksham-pazari i mashtrimit “Koha për kryeministër shqiptar” është degradim edhe për dinjitetin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e shtetit. Nëse ky ka qenë pazari i atij mashtrimi, shtrohet pyetja si mund ta ushtrojë protagonisti i mashtrimit një detyrë kaq të rëndësishme dhe të përgjegjshme?

Shkup, 14.01.2021