Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, vizitoi sot Komunën e Studeniçanit, ku bashkë me kryetarin Ejup Abazi inspektuan projektet infrastrukturore që po realizohen me mbështetje të ministrisë.
Gjatë vizitës u inspektuan punimet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit për ujërat e zeza në fshatin Moranë, projekt me vlerë mbi 4.5 milionë denarë, i cili është realizuar mbi 50 për qind.
Hoxha theksoi se investimi synon përmirësimin e infrastrukturës komunale dhe tejkalimin e problemeve shumëvjeçare të banorëve të këtij rajoni.
Në Studeniçan po realizohet edhe faza e tretë e ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit, për të cilin ministria ka siguruar mbi 53 milionë denarë, ndërsa deri tani janë përfunduar 5.5 kilometra nga gjithsej 8.7 kilometra.
Ministri Hoxha mes tjerash nënvizoi se ministria do të vazhdojë mbështetjen për projektet kapitale që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.





