Arben Taravari nesër shpall kandidaturën për kryetar të Aleancës për Shqiptarët

Sipas buriemve të Gazetës Lajm, nga Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari nesër shpall kandidaturën e tij për kryetar të partisë.

Sipas këtij burimi, strukturat partiake tashmë kanë mbledhur nënshkrimet për mbështetjen e kandidimit të tij, ndërsa Taravari gëzon përkrahjen e të gjitha degëve dhe anëtarësisë së gjërë si dhe të eksponentëve të lartë të partisë, konfirmojnë për Lajm nga ASH.

Kete informacion, para pak çastesh e kane konfirmuar zyrtarisht nga Aleanca per Shqiptaret.

“Ju informojmë se nesër (e premte) 02.12.2022, në ora 14:00, u.d. Kryetari, z. Arben Taravari, do të dorëzojë kandidaturën për Kryetar i Aleancës për Shqiptarët, të shoqëruar nga nënshkrimet e anëtarëve, para Komisionit në zyrat qendrore të partisë në Tetovë. Pas dorëzimit të kandidaturës do të ketë deklaratë për media”, thuhet ne njoftimin zyrtar të ASH-së.

Taravari dhe deri në këtë moment është kandidati i vetëm për këtë pozitë.

Kujtojmë se Kongresi i Aleancës për Shqiptarët është caktuar të mbahet më 17 dhjetor dhe vjen pas dorëheqjes së parevokueshme të ish-kryetarit Ziadin Sela.

Ndryshe, kandidati për në krye të ASH-së, Arben Taravari bashkë me Ziadin Selën formuan Lëvizjen për Reforma PDSH që më pas u emërua në Aleanca për Shqiptarët. Ai përveç ushtrimit të funksionit të sekretarit të Përgjithshëm të ASH-së për një kohë ishte edhe nënkryetar i kësaj partie, dhe vlen si një nga figurat më me autoritet dhe ndikim në këtë parti si dhe bashkpuntor i ngushte i ish-kryetarit Ziadin Sela.