Anelka: Karriera e Messi dhe Ronaldo ka mbaruar, duhej të tregoheshin më të zgjuar

Ish-lojtari i kombëtares së Francës, Nicolas Anelka ka komentuar formën aktuale të Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Anelka, lojtar me një karrierë mjaft të pasur, beson se Messi dhe Ronaldo kanë arritur të gjitha gjërat e mundshme në futboll, por veprimet e tyre të fundit ishin të gabuara.

Sipas francezit, lojtarët janë në fundin e karrierës së tyre dhe duhej të angazhoheshin në sfida më të lehta.

“Kjo është çfarë ndodh me lojtarët që duan të luajnë gjatë. Karrierat e tyre kanë mbaruar dhe unë mendoj se të dy duhet të jenë të lumtur me çfarë kanë arritur në 15 vite. Ata ishin mbi të gjithë dhe tani është normale që të ngadalësojnë”, ka thënë Anelka, transmeton lajmi.net.

“Të dy duhej të tregoheshin më të zgjuar. Ata nuk ishin të zgjuar. Ata duhej të merrnin një sfidë më pak të komplikuar sepse duhet të bësh vendimin e duhur për të mbyllur karrierën në maja. Ka lojtarë që nuk hezitojnë të pensionohen me 32, 33 apo 34, për të mos u kritikuar. Unë e përfundova me 36, por me 32 vite shkova në Kinë”, ka shtuar francezi.

Lionel Messi me PSG këtë edicion është lider në Ligue 1, por u eliminua në Champions League në 1/16 e finales. Cristiano Ronaldo në anën tjetër qëndron më keq, pasi u eliminua në fazën e njëjtë, por në ligë rrezikon të mbes jashtë top katërshes.