Kurti: Të përkushtuar për zbatimin e politikave sociale, në fokus qytetari dhe barazia shoqërore

Puna sociale është e vlefshme gjithkund dhe çdoherë, mirëpo në një kohë si kjo e jona, kur është kaq shumë i theksuar individualizmi dhe personalizimi, besoj që puna sociale është tejet e rëndësishme.

Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti në konferencën nacionale në shënim të Ditës Botërore të Punës Sociale.

Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës, krahas politikave zhvillimore, në programin e saj ka prioritet mbrojtjen sociale për qytetarët me programet adekuate të qëndrueshme, pra afatgjate.

“Puna sociale përbën përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur nevojat bazike të qytetarëve, për të rritur përgjegjësinë kolektive e për të ngritur mirëqenien qytetare. Këto themele të punës sociale materializohen përmes shërbimeve e politikave sociale, që kontribuojnë në eliminimin e rreziqeve, të cilat u kanosen grupeve të cenueshme, pastaj kontribuojnë në zvogëlimin e varfërisë, në mbrojtjen nga diskriminimi e keqtrajtimi, e të tjera.

Qeveria e Republikës së Kosovës, krahas politikave zhvillimore, në programin e saj ka prioritet mbrojtjen sociale për qytetarët me programet adekuate të qëndrueshme, pra afatgjate. Që nga fillimi i këtij mandati kemi ndërmarrë një sërë masash, që ndihmojnë drejtpërdrejt grupet e cenueshme të shoqërisë, duke filluar nga rritja e shumës së asistencës sociale, rritja e pensioneve e fillimi i zbatimit të programit për shtesa për lehona e shtesa për fëmijë”, tha ai.

Sipas kreut të Qeverisë, si rezultat i këtyre masave, kanë përfituar rreth 26 mijë familje në asistencë sociale, mbi 300 mijë pensionistëmarrës, 12 mijë lehona dhe mbi 140 mijë fëmijë.

“Ndërsa, në kuadër të Qendrave për Punë Sociale, ka vazhduar ofrimi i shërbimeve si për shembull: mbrojtja dhe trajtimi i viktimave të dhunës në familje, viktimave të trafikimit, fëmijëve me nevoja të veçanta; këshillimi psiko-social, vetëdijesues e edukativ për fëmijë; si dhe strehimi i fëmijëve të keqtrajtuar, viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të trafikimit.

Kështu, janë ofruar rreth 12 mijë shërbime sociale nga Qendrat për Punë Sociale, kurse nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve janë licencuar rreth 48 organizata jo-qeveritare për ofrimin e këtyre shërbimeve”, tha ai.

Kurti më tej shtoi se si Qeveri mbesin të përkushtuar në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale që në fokus e kanë qytetarin dhe barazinë shoqërore.

“Veçse kemi filluar me procesin e reformimit të skemës së asistencës sociale, e cila ka për qëllim eliminimin e kritereve diskriminuese për përfitim nga skema, dhe rritjen e mbulueshmërisë përmes implementimit të testit të ri të varfërisë.

Në anën tjetër, në kuadër të Projektligjit për Financat e Pushtetit Lokal, do të prezantohet granti specifik për shërbimet sociale, me qëllim të sigurimit të financimit të qëndrueshëm dhe të drejtë të shërbimeve. Përveç kësaj, këtë vit do të fillojmë edhe me reformën pensionale, e cila synon zhvillimin e një pensioni solidar të bërë sistem, gjithëpërfshirës dhe financiarisht i qëndrueshëm.