Ancelotti: Po punoj që biri im të jetë një trajner i suksesshëm

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka folur në lidhje me asistentin e tij, që njëherësh është edhe djali i tij.

Që nga rikthimi i tij te Reali vitin e kaluar përkrah si asistent Ancelotti ka djalin e tij Davide Ancelotti.

Brenda një viti kalendarik, me të dy në krye ‘Mbretërit’ fituan katër trofe, La Ligan, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Spanjës dhe së fundmi Superkupën e Evropës.

E, është vetë Carlo që tha se po punon që djali i tij të bëhet një trajner i suksesshëm në të ardhmen.

“Ai është një asistent, me siguri do të jetë edhe një trajner në të ardhmen. Unë po punoj që ai të jetë një trajner i suksesshëm. Davide ka më shumë energji se unë”, tha Ancelotti për ‘BT Sport’.

Davide është vetëm 33 vjeçar dhe ka pasur një karrierë të shkurtër si lojtar në akademinë e të rinjve të Milanit, para se të varte këpucët në vitin 2009.