Ambasadori rus në Beograd e kërcënon Serbinë: Rishikimi i vendimit për sanksione do të na zhgënjejë

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Alexandar Botsan-Kharchenko, ka deklaruar se Rusia i është mirënjohëse Beogradit për “qëndrimin parimor për distancimin” nga, sipas fjalëve të tij, kufizimet e “paligjshme anti-ruse”, pra nga sanksionet e vendosura nga SHBA dhe vendet perëndimore.

“Sigurisht që do të ishte e padrejtë dhe e gabuar, duke pasur parasysh se ne kemi marrëdhënie miqësore me Serbinë në bazë të besimit, të mos themi se rishikimi i kësaj linje do të na zhgënjejë”, ka thënë Kharchenko.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Moska do të “fus në tregti” Kosovën në këmbim të Donbasit dhe territoreve të tjera, ai ka thënë se këto deklarata “nuk kanë të bëjnë fare me realitetin” dhe se nuk flitet dhe nuk mund të flitet për “tregti”.

“Qëndrimi i Rusisë për Kosovën është parimor dhe konsistent, i pavarur nga konjuktura. Ne mbrojmë arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme, reciprokisht të pranueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Harchenko.