Zajkova shpërthen ndaj Qeverisë: “Ligjet ndryshohen brenda natës, shteti po shndërrohet në pronë private të pushtetit!”

Kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Qeverisë, duke e cilësuar ndryshimin e vazhdueshëm të ligjeve si kaos juridik që po shkatërron sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut.

Sipas saj, shumica parlamentare po miraton dhe ndryshon ligje me procedura të përshpejtuara, duke krijuar pasiguri juridike dhe duke dëmtuar besimin e investitorëve.

Zajkova pretendon se Raporti i fundit i Komisionit Evropian nxjerr në pah probleme serioze me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë, ndërsa Qeveria, në vend të reformave të mirëfillta, po ofron vetëm zgjidhje të përkohshme dhe propagandë.

“Po marrim shuplaka nga Bashkimi Evropian, sepse kjo Qeveri e ka shndërruar shtetin në një zonë private për tendera dhe manipulime partiake. Mjaft me varrosjen e sundimit të ligjit!”, deklaroi Zajkova.