Aktakuzë ndaj një personi për njoftim të rremë për bombë

Prokuroria ka ngritur sot aktakuzë ndaj një të punësuari në kompaninë përgjegjëse për sigurim të qendrës tregtare City Mall, për njoftim të rremë për bombë në këtë qendër tregtare më datë 29 janar. Nga Prokuroria thuhet se i punësuari në kompaninë e sigurimit nga celulari i tij ka hyrë në faqen e internetit www.globefone.com dhe mbikëqyrësit të tij i ka dërguar SMS ku shkruhej “ dilni menjëherë nga qendra tregtare, ka bombë”.

Mbikëqyrësi rastin e ka paraqitur menjëherë në polici, pas çka është bërë evakuim i të gjithë të pranishmëve. Në të njëjtën kohë, ishte angazhua edhe Njësia për Antiterrorizëm për të përcaktuar se nuk kishte asnjë pajisje eksplozive të instaluar në objekt, thuhet nga Prokuroria. Personit ndaj të cilit është ngritur aktakuzë i është shqiptuar ndalesë për lëshim të vendbanimit, detyrim për t’i raportuar një personi të caktuar zyrtar, marrje e përkohshme e dokumentit të udhëtimit.