Ahmeti e harroi kryeminstrin shqiptar, Zaev: BDI tregoi madhështi dhe mirësi

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti harron premtimin për kryeministrin shqiptar. Sipas marrëveshjes së arritur për koalicion qeveritar ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së, kryeministër me mandat të plotë, për katër vjet, do të jetë ish kryeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev.

Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së: “Më lejoni në këtë rast të ju prezantoj një pjesë të parimeve mbi të cilat bazohet marrëveshja për koalicion për Qeveri të re, që do ta udhëheq unë si kryeministër i saj në mandat të plotë katërvjeçar”.

Duke u thirrur në deklaratat e mëparshme të Ahmetit që thirrej në kanun e traditë, gazetarët i kujtuan Ahmetit se në bazë të kanunit dhe traditës, besa e dhënë duhet të mbahet dhe e pyetën atë se si do ta arsyetojë para shqiptarëve këtë marrëveshje, pa kryeministër shqiptar… Ahmeti zgjodhi që për këtë pyetje të mos përgjigjet dhe ia  dha hapësirën Zaevit që të arsyetohet…

E Zaev sqaroi se mirësisë së BDI-së të për ta pranuar marrëveshjen për bashkë, ja kthen me mirësi 100 ditë kryeministër shqiptar në vend të qeverisë teknike.

Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së: “BDI tregoi madhështi dhe mirësi, për shkak të ardhmërisë së të gjithë qytetarëve dhe shtetit, sipas kësaj mirësie është vendosur që unë ta kem nderin në bisedime me parnterët me mbështetje të BDI-së të jem kryeministër i Qeverisë na mandat të plotë katërvjeçar. Dua të theksoj se një pjesë e marrëveshjes është heqja e qeverisë teknike, ministra teknikë dhe kryeministër teknik… në një marrëveshje të tillë, për shkak të mirësisë së BDI-së, tregova mirësi që të gjitha partitë politike për 100 ditë para zgjedhje të jenë të barabartë me kryetarët që do të jenë në partitë politike, qeveria teknike është hequr, kryeministri teknik është hequr, ku në ato 100 ditë me propozim të BDI-së do të vendoset kryeministri që do t’i udhëheq 100 ditët e fundit të mandatit të rregullt”.

Për Ahmetin edhe 100 ditë kryeministër shqiptar janë të mjaftueshme, ai e përshëndeti guximin e Zaevit për këtë gjë, ndërsa derisa çështja e kryeministrit shqiptar ishte premtimi i vetëm i BDI-së gjatë fushatës, sot tha se kjo çështje ka qenë dhe mbetet vetëm një porosi për afrim dhe marrje të përgjegjësive nga komuniteti shqiptarë.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së: “Çështja e kryeministrit ka qenë dhe mbetet një porosi që i afron dhe marrim përgjegjësi komuniteti shqiptarë që të kemi një republikë më të fortë dhe më të qëndrueshme, me qytetarë të bashkuar….. Duhet përshëndetur edhe guximin e zotëri Zaevit që për herë të parë në këtë vend, 100 ditë do të jetë një shqiptarë i propozuar nga BDI për kryeministër të vendit”.

Ahmeti  vlerëson se qëllimi është arritur.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së: “Mendoj që qëllimi është arrit për të dhënë porosi tek qytetarët e RMV-së… Nuk do të thotë se nuk kemi arritur të ecim një hap përpara në drejtim të forcimit të mirëbesimit mes komuniteteve”

Kjo marrëveshje për t’u kompletuar duhet të kalojë nëpër organet udhëheqëse të të dyja partive. /SHENJA/