Aaron Ramsdale zbulon se babai i tij e kërcënon se do ta telefonojë Mikel Artetan, nëse e vazhdon të luajë me top në zonë

Portieri i Arsenalit, Aaron Ramsdale, bëri shaka se babai i tij mund t’i dërgonte mesazh Mikel Artetës dhe t’i lutej që të mos i kërkonte djalit të tij të luante me top në mbrojtje kur e ka në këmbë.

Reprezentuesi anglez ka shkëlqyer që nga transferimi i tij i prej 30 milionë eurosh nga Sheffield United në verën e vitit 2021.

12 portat e tij të paprekura në 28 paraqitje në Ligën Premier kanë luajtur një rol të madh në përpjekjen e Topçinjve për të fituar titullin e parë të ligës që nga viti 2004.

Megjithatë, qetësia e tij me topin në këmbë dhe aftësia për të luajtur si një lojtar shtesë në mbrojtje, ka qenë po aq e rëndësishme sa shumë nga pritjet e tij më të mira. Fatkeqësisht për 24-vjeçarin, aftësia e tij me këmbët nuk i pëlqen shumë babait të tij.

“Ai ende e urren atë, absolutisht e urren atë”, deklaroi Ramsdale për ESPN, kur u pyet se si ndihet babai i tij për idenë për të luajtur portieri me këmbë. “Ende më kërcënon t’i dërgojë mesazh Mikelit. Problemi i vetëm është nëse i them: ‘Vazhdo atëherë, nuk do ta bësh”, ai në fakt do ta bëjë sepse e ka numrin e tij! Unë duhet të sillem me të me shumë kujdes”.

Vetëm një njeri shumë i guximshëm do të vinte në dyshim Artetën, veçanërisht gjatë formës së fundit të Arsenalit që i ka parë ata të marrin gjashtë fitore radhazi. Loja e Ramsdale me këmbë është thelbësore për stilin e lojës së Arsenalit të bazuar në zotërimin e topit.