A paska vdekur Tosha, a? Një ditë do të vdesin edhe politikanët shqiptarë nga Kumanova që vazhduan politikat e Toshës!

Fejzi Hajdari

A ju kujtohet Todor Çushkarovski-Tosha? Paska ndërru jetë. Secili një ditë, më herët ose më vonë, do të ndërrojë jetë.
Mirëpo “Tosha”, dikur sillej si të ishte i pavdekshëm. Ai dhe Branko Rulja, një shovinist tjetër serbo-maqedonasnë Kumanovë.
Këta dy i kanë prirë shumë projekteve antishiptare, duke u bërë kështu faktorët kryesor për ndryshimin e strukturës demografike të qytetit të Kumanovës, respektivisht uljen e numrit (përqindjes) të shqiptarëve. Gjithsesi, këto procese famëkeqe kundër shqiptarëve, shoqëroheshin me masa nga më të egra dhe më primitive, me qëllim që efekti i ndryshimit të strukturës së popullatës së Kumanovës në dëm të shqiptarëve dhe favor të popullatës joshqiptare (lexo: maqedonase), të kishte efektin e suksesit të atypëratyshëm.

Kemi të moshuar shqiptarë dëshmitarë të asaj kohe, që edhe sot e kësaj dite, e mbajnë në mend 3 herë zbrazjen e Kumanovës nga shqiptarët. Regjimi i atëbotshëm frikohej nga dominimi i shqiptarëve në Kumanovë, qytet ky i cili nga qarqet antishqiptare por edhe nga ato intelektuale e akademike, edhe sot, vazhdon të konsiderohet si qytet me pozitë më gjeostrategjike në Ballakan, ku kryqëzohen dy korridoret e rëndësishme ndërkombëtare.

Paralelisht me pastrimin etnik, bëhej edhe pastrimi i kuadrove më të mira shqiptare në arsim, shkencë e kulturë, nën e diferencimit ideopolitik.
Si rezultat i kësaj, arsimi kumanovar humbi kuadro si Avni Dehari, Hysni Shaqiri, Xhafer Ymeri, Feti Veseli, Destan Ajdini, Vaxhid Sejdiu, Arif Seferi, e shumë të tjerë që s’po më kujtohen për momentin, por që secili ka qenë më i ngritur dhe më meritor se tjetri. Ky vakum i krijuar atëherë, ndihet sot e kësaj dite në shoqërinë shqiptare në Kumanovë-Likovë.
Fatkeqësisht, njësoj (si të jenë të pavdekshëm), sot po sillen edhe politikanët shqiptarë në Kumanovë, që vazhduan politikat e Toshës dhe Branko Rulës, kundër shqiptarëve. Po, po…
Kur e kuptoi aparati shtetëror shoven serbo-maqedonas se nuk mund t’i gjunjëzojë shqiptarët e Kumanovës me politikanë si Tosha e Branko Rulja, nxori në skenë politikanë shqiptarë, që pikë për pike zbatojnë politikat e tyre. Bile edhe shkojnë disa hapa më larg, duke u bë më “Toshë se Tosha”, në zbatimin e politikave të dëmshme antishqiptare. I njëjti sistem u mveshi këtyre petkun patriotik dhe ec e merru ti pastaj me ta. Menjëherë thonë “jemi me komandantin, jemi me çlirimtarët!!!” edhe na e mbyllin gojën (shyqyr që kjo politikë dështoi në Kosovë). Ani pse politikat i kanë shumë më të dëmshme se politikat e Toshës e Branko Rules bashkë.
Edhe më keq është se ky avaz i tendencës së margjinalizimit të shqiptarëve, po vazhdon edhe sot. Qëllimi është i njëjtë: Zbrazja e Kumanovës nga shqiptarët dhe ulja e përqindjes së shqiptarëve me çdo kusht. Po t’ia hidhni syrin kësaj politike sot, lehtësisht do të konstatoni se deri dje këtyre proceseve i prinin maqedonasit, por sot si duket shqiptarët e kanë marrë këtë rol. E madje po tregohen edhe më të suksesshëm në katandisjen e rinisë shqiptare jashtë vendit. Si të shpjegohet ndarja me çdo kusht e Likovës nga Kumanova dhe ulja e përqindjes së shqiptarëve në 26.6% (sipas Regjistrimit të fundit).
Me këtë akt, i cili u mbështet nga partia shqiptare në qeveri, shqiptarëve përfundimisht iu bë me dije se asnjëherë nuk do të mund ta udhëheqin Komunën e Kumanovës, edhe pse gjatë sistemit komunist një shqiptar ishte zgjedhur për kryetar të Kumanovës.
Prandaj, kuadrot më të mira as sot e kësaj dite, nuk mund të vijnë në shprehje nga kuadrot “analfabetë” të partisë. Në pamundësi për të gjetur vend përkatës në vendlindje, shumë prej tyre ikin kah munden: Zvicër, Gjermani, Amerikë, madje edhe Irak, Afganistan e vende afrikane, gjithandej ku munden. Sa më larg analfabetëve me kollare e me vetura zyrtare.

P.S. Meqë vetë jam nga Kumanova, e njoh atë periudhë më në detaje në qytetin tim, por aspak nuk dyshoj se personazhe si Tosha e Branko Rulja, aparati shovinist serbo-maqedon ka prodhuar edhe në qytete tjera. Njësoj sikurse ka prodhuar edhe në qytete tjera (si në Kumanovë), “politikanë patriota” që hap pas hapi pasojnë politikat e shovinistëve, si Tosha e Branko Rulja.